Ngërçi i krijuar mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, për çështjen e Sandër Lleshit, ka shkaktuar mjaft debate.
Lidhur me këtë, në një takim në Korçë ka folur ambasadorja e Francës, Christine Vasak.
Ambasadorja ka deklaruar se Kryeministri dhe Presidenti Ilir Meta duhet t’i japin zgjidhje ngërçit mes tyre për dekretimin e Sandër Lleshit, megtjithatë ajo shtoi se të dy janë politikanë me eksperiencë dhe e dinë çfarë duhet të bëjnë.
“Unë mund të reagoj si juriste, por nuk më takon mua dhe kolegëve të mi të reagojmë për këtë situatë. Mendoj që si kryeministri ashtu edhe presidenti janë persona me eksperiencë në politikë që kanë shkëmbime permanente mes tyre dhe që e dinë shumë mirë se çfarë duhet të ndodhë”, tha Vasak.
Ndër të tjera, Vasak kërkoi që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, duke e konsideruar këtë si urgjente.
“Ju e drejtoni gishtin në një problematik të vërtetë, por do duhet që si çdo vend tjetër edhe Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese. Është e nevojshme si në këndvështrimin e politikës së brendshme ashtu edhe për politikën e jashtme. Edhe këtu duhet të kemi besim tek autoritetet kompetente që të gjejnë një zgjidhje sepse vërtet është urgjente”, tha ambasadorja e Francës në Shqipëri.