Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Astirit rrethojnë bashkinë, duan takim me Veliajn: Lali Eri ku je fshehur


Banorët e Astirit i kanë zhvendosur protestat e tyre nga Unaza e Re në qendër, përpara godinës së Bashkisë së Tiranës.

Që prej 3 nëntorit, banorët e Astirit protestojnë për shkak të projektit të “Unazës së Madhe”, që parashikon shembjen e banesave të tyre.

Ata mbajnë në duar pankarta ku shkruhet: “Lali Eri ku je fshehur”, “Duam pronat tona”, “Kryeministër ku je fshehur”, “Dy duar për një kokë”, “S’kemi frikë nga presioni i qeverisë”, “Shtëpitë tona do t’i mbrojmë me trupat tanë”, “Fuqia e njerëzve më e madhe se njerëzit me fuqi”.

Por nuk kanë munguar aa përplasjet me policinë para hyrjes së Bashkisë së Tiranës, pasi uniformat blu i kërkonin të ndalonin protestën.

“Vazhdoni tani, mos krijoni probleme”, u drejtohet një nga efektivët protestuesve.

“Edhe kjo që po bëni ju është provokim”, thotë një nga protestuesit i cili vijon më tej “As policia që paguhet me taksat tona nuk vjen të na mbrojë aty, me mbajt qetësi, në përballjet me shoferët”.

Por përgjigja e policit ishte se protesta e tyre nuk është e ligjshme.

“Është e ligjshme të na prishen shtëpitë, të na hedhin në në rrugë të madhe?!”, thotë një qytetar.

“Nuk qenka e ligjshme të dalim në protestë, për të kërkuar të drejtat tona?!”, ankohet një tjetër.

Sot është dita e dhjetë e protestës së banorëve të Astirit, kundër prishjes së banesave të tyre dhe bizneseve që kanë ngritur në zonë.

Deri ditën e djeshme, banorët e Astirit kanë protestuar duke bllokuar aksin që lidh Kombinatin me Sheshin Shqiponja, mirëpo sot i janë drejtuar bashkisë.

Banorët shprehen se nuk janë kundër projektit të zgjerimit që kërkon të bëjë bashkia, por duan dëmshpërblim të plotë të pronës së tyre ndërsa shprehen se nuk do e lejojnë prishjen e banesave pa u dëmshpërblyer.

Ata thonë se janë 600 familje që do të nxirren në rrugë, ndërsa i kërkojnë kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj t’i japin zgjidhje kërkesave të tyre. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *