Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoresha e Veliajt: Bashkia do paguajë 1 vit qira për banorët e Astirit, ata të Shkozës mbetën të kënaqur nga kjo


Anisa Ruseti, Drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ka sqaruar sot pozicionin e bashkisë lidhur me projektin të Unaza e Re ku parashikohet të prishen qindra banesa.

Sipas Rusetit, bashkia e Tiranës, do u sigurojë atyre që u prishen shtëpitë bonusin e qirasë për një vit dhe më pas do mendohet për një zgjidhje me afatgjatë.

“Bashkia do paguajë bonusin e qirasë për një vit, në mënyrë që banorët të mos mbeten në rrugë. Kjo më pas i jep kohë qeverisë dhe bashkisë që të gjejnë një zgjidhje më afatgjatë për banesa sociale, kredi të buta etj. Prioritare është të strehohen banorët. Ata të gjejnë banesën dhe bashkia do u paguajë 100% të qirasë. Gjithashtu do kenë kohën e mjaftueshme për të gjetur një alternativë banimi. Institucionet janë në rakordim me njëri-tjetrin për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë.” – tha Ruseti.

Më tej ajo u pyet nga gazetarja lidhur me një situatë të ngjashme në zonën e Shkozës, të cilëve u ishte prishur banesa për shkak të Unazës së Re.

Ruseti u përgjigj se shumica e banorëve kishin mbetur të kënaqur nga oferta e bashkisë për bonusin e qirasë për një vit dhe kishin aplikuar edhe për një vit tjetër bonus qiraje.

“Pjesa më e madhe e banorëve të Shkozës, mbetën të kënaqur nga qiraja e paguar prej Bashkisë. Ata ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e projektit dhe për faktin se kishin ndërtuar në një zonë në zhvillim dhe pa leje. Tashmë ata janë në proces për të përfituar edhe një vit tjetër qira”. – tha Ruseti.

Qindra banorë të Unazës së Re, protestuan sot para bashkisë kundër prishjes së banesave të tyre. Ata kërkuan takim me kryebashkiakun Veliaj por ky i fundit nuk u shfaq.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *