Zjarret kanë shkatërruar tërësisht qytetin e Paradise, në Kaliforninë Veriore.
“Daily Mail” shkruan se kjo ngjarje, ka shënuar tragjedinë më të madhe nga zjarri në historinë e shtetit, ku numri i të vdekurve vetëm nga ky qytet ka shkuar në 29 dhe 288 persona të tjerë kanë mbetur të zhdukur.
Rreth 8,000 zjarrfikës po ballafaqohen ende me flakët që s’janë shuar, ndërkohë që janë në kërkim për të mbijetuar.
Ditën e djeshme vonë, autoritetet raportuan gjashtë të vdekur të tjerë, duke e shtuar bilancin e viktimave në 29 dhe duke e bërë atë zjarrin më vdekjeprurës në historinë e Kalifornisë.
Sherifi i Qarkut Butte, Cory Honea, tha se mbetjet njerëzore u gjetën të dielën, pesë trupa të gjetur nëpër shtëpi dhe një në një automjet në Paradise.
Honea tha se shkatërrimi ishte i tillë që në disa lagje “është shumë e vështirë të përcaktohet nëse ka apo jo mbetje njerëzore”.
“Në disa raste, të vetmet mbetje që ne jemi në gjendje të zbulojmë janë kocka apo fragmente kockash”, tha Honea.
Sherifi njoftoi gjithashtu se 228 persona kanë humbur që kur zjarri filloi të enjten dhe dogji qytetin.
Totali i vdekjeve nga zjarri në të gjithë vendin ka arritur në 31.
Autoritetet vendase kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në veri të Kalifornisë për të ndihmuar në lehtësimin e përpjekjeve të shpëtimit.