700 familje në Kamzë që u prekën nga përmbytjet e vitit 2017 nuk janë dëmshpërblyer ende nga qeveria.
Kryebashkiaku Mziu ka thënë se një vit nga pëmbytja nuk është marrë asnjë lek nga qeveria për dëmshpërblimin e banorëve të dëmtuar.
Edhe pse bashkia i ka kryer të gjitha procedurat ligjore dhe ka bërë vlerësimin e dëmit, sërish nga qeveria nuk ka asnjë sinjal dhe asnjë e hollë.
“Nga verifikimet e kryera në zonat e përmbytura, nga grupet e punës u konstatuan rreth 700 familje të përmbytura, të cilat kanë pësuar dëme të mëdha ekonomike. Bazuar në relacionin përcjellë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Këshilli Bashkiak bëri “Miratimin e shumës së dëmshpërblimit me vlerë 276.051.865 (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë milion e pesëqind e një mijë e tetë qind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë të 700 familjeve të përmbytura nga reshjet e shiut të datës 30.11.2017 dhe dërgimin për financim të kësaj shume pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, për mungesë fondesh financiare të Bashkisë Kamëz”, – thotë kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Kur jemi një vit nga përmbytjet e vitit të kaluar, ende rreth 700 familjet nuk kanë marrë asnjë kacidhe nga qeveria “Rama”, e cila si gjithnjë Kamzën e diskriminon në çdo drejtim. Qytetarët, me shpresën që një ditë do të marrin dëmshpërblimin, luten që këtë vit të mos përmbyten sërish!” – thuhet në reagimin e Mziut.