Vendosni fjalën kyçe....

Përgjigjja e Veliajt për protestuesit: Fillimi ka qenë i vështirë për të gjithë


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, ka bërë disa deklarata lidhur me projektin e Unazës së Re ku prishen më shumë se 300 banesa.

Deklaratat e tij vijnë pas disa ditësh protestë të banorëve të cilëve u prishen banesat dhe që dy ditët e fundit e kanë zhvendosur protestën e tyre para bashkisë.

Sipas Veliajt, 99.99% e qytetarëve të Tiranës duan që projekti i Unazës së Re të bëhej. Nuk dihet nëse Veliaj ka kryer ndonjë pyetësor lidhur me shifrat që nxori nga goja, por kjo ishte ajo ç’ka tha ditën e sotme.

“Nuk ka shanse të ndalet projekti. 99.99% e njerëzve duan shmangien e trafikut në Tiranë.”

Veliaj u kujdes që protestuesit e Unazës së Re t’i klasifikonte si simpatizantë të PD-së, që po përdoreshin politikisht nga Partia Demokratike, e cila sipas tij ka frikën e humbjes që i pret në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë që në protestat e banorëve, si te Unaza e Re, ashtu edhe para bashkisë, janë dëgjuar deklaratat e shumë prej tyre se janë simpatizantë të Partisë Socialiste dhe se kanë votuar Veliajn si kryebashkiak.

“E kemi parë këtë film edhe më parë, fitojnë njerëzit. PD gati t’i lërë njerëzit në primitivitet për pak vota. Ata po përdoren nga PD-ja që pas çështjes së Liqenit Artificial, Pazarit të Ri dhe Teatrit Kombëtar, po i përdor edhe kësaj radhe. I keni parë që i çojnë fëmijët te Liqeni Artificial, ulin kasketën dhe shkojnë aty. Fëmija s’do me dit që babi është një hajvan i Lulit. Më dhimbsen nga ky keqpërdorim.”

Ai tha gjithashtu se banorëve të cilëve iu prishet banesa kanë 28 vite që nuk kanë paguar asnjë taksë dhe janë pa letra.

Ndërsa shtoi se projekti do bëhej pavarësisht kostove dhe se zgjidhja e bashkisë ishte pagesa e qirasë për 3 vite. Në fund ai theksoi se të gjithë e kanë pasur të vështirë kur kanë ardhur në Tiranë por më pas janë integruar.

“Dikush që nuk ka rrënjë në këtë qytet, kujt i sulet? Për 28 vite nuk kanë paguar asnjë taksë ata që janë pa letra. Kemi ofruar 3 vite qira për ata që janë pa letra. Për t’u integruar si gjithë ne të tjerët, që fillimin e kishim të vështirëm, por më pas u integruam”. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *