Vendosni fjalën kyçe....

Revoltohen protestuesit: Veliaj ndërton shtëpi për qentë, ne na nxjerr në rrugë


Banorët e Astirit kanë dalë sërish sot në protestë, duke rrethuar për herë të dytë Bashkinë e Tiranës. Banorët bllokuan rrugën, ndërsa këtë radhë i janë bashkuar edhe të tjerë qytetarë të cilët nuk preken nga projekti për “Unazën e Madhe”.

 “Unë nuk prekem, kam ardhur në mbështetje. Nuk prekem për momentin por me këtë qeveri e kemi pas veshit dhe ne. Prandaj duhet rrëzuar kjo qeveri. Duhet t’ja bëjmë si kuksianët në Kalimash.”, thotë një nga qytetarët.

Një tjetër tregon mes lotëve, sakrificat që ka nisur tani të bëjë, duke i hequr edhe lëpirësen vajzës së vogël, ndërsa i kujton kryebashkiakut Erion Veliaj, se për kafshët po ndërton shtëpi publike, ndërsa njerëzit po i nxjerr në mes të rrugës.

”Kemi 30 vjet që po sakrifikojmë për të ndërtuar strehën e fëmijëve tanë. Erdhëm nga kurbeti me dëshirën për ta bërë shtëpinë në vendin tonë. Ënddrat e tyre t’i ndërtonim këtu. Ne po na varrosin ëndrrat e tyre. Unë fëmijët kam 10-11 ditë që s’i kam çuar në shkollë. Tani po i heq dhe lëpirësen vajzës së vogël, mos t’ja jap. Djalin nuk e çova në eskursion. T’u bëftë babi i thashë. Unë nuk kam lekë të të jap, se Veliaj po na nxjerr përjashta.

Unë kam 11 vjet kurbet. Kokërr më kokërr i hedh aty. Edhe taksën e biznesit e kam paguar, edhe taksën e pronës, edhe taksën e shtëpisë. Çdo gjë në mënyrë perfekte i kam paguar. Pse po na fut në varr?!

Le ta vërë Rama veten në rolin tonë. E zëmë se s’ka bukë për Zahon, s’ka strehë për Zahon, s’ka punë për nesër. Po ne si do jetojmë?! Nuk jemi shtazë. Nuk jemi qentë e Erion Veliajt. Ai ndërton shtëpi publike për qentë, por ne po na nxjerr nga rruga. Turp, turp, turp.”, thotë zotëria mes lotësh dhe me zërin që i dridhej.

Po ashtu banorët, i janë përgjigjur ministrit Damian Gjiknuri për sugjerimet që bëri dje në Top Channel.

“Nuk ka ngel gjë pa u thënë gjatë këtyre 10 ditëve, ndaj sot do jemi të heshtur. Do kalojnë mbi trupat tanë. Kemi një përgjigje për fjalën e Gjiknurit. Në radhë të parë  erdhi i fshehur si hajdut, si grua nën fustan. E dyta kjo tallja e radhës e kësaj qeverie, por ta harrojnë. Propozoi 3 vitet e para qira, por të gjitha janë gënjeshtra. U diskutua, por harroi se asnjë nga këta banorë nuk janë të punësuar. Ku do shkojnë sgjithë këta banorë. Me çfarë do ushqehen. Sot do vazhdojmë në heshtje. Falenderoj kamerat që do e  përcjellin këtë qëndresë tonën.”, tha një prej qytetarëve.

Edhe ditën e djeshme, Banorët e Astirit bllokuan rrugën duke protestuar përpara bashkisë, ndërsa gjuajtën me vezë godinën.

Që prej 3 nëntorit, banorët e Astirit protestojnë pkundër shembjes së banesave të tyre.

Ata mbanin në duar pankarta ku shkruhet: “Lali Eri ku je fshehur”, “Duam pronat tona”, “Kryeministër ku je fshehur”, “Dy duar për një kokë”, “S’kemi frikë nga presioni i qeverisë”, “Shtëpitë tona do t’i mbrojmë me trupat tanë”, “Fuqia e njerëzve më e madhe se njerëzit me fuqi”.

Ndërkohë që nuk kanë munguar as përplasjet me policinë para hyrjes së Bashkisë, pasi uniformat blu i kërkonin të ndalonin protestën./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *