Rëndohet bilanci i viktimave nga zjarret që përshkruan prej disa ditësh dy skajet e Kalifornisë. Zyrtarët kanë lajmëruar se trembëdhjetë trupa të tjerë të pajetë janë gjetur, duke e çuar numrin e viktimave në 42.
BBC shkruan se mbetjet e trupave u gjetën në qytetin e Paradise në veri të shtetit, që ka mbetur i shkatërruar plotësisht.
Të paktën 228 njerëz mungojnë, pasi “Camp Fire” vazhdon të kërcënojë. Rreth 7.200 ndërtesa janë shkatërruar dhe rreth 15.500 të tjera janë në rrezik.
Zjarri e ka tejkaluar tashmë fatkeqësinë e “Griffith Park”-ut të vitit 1933 që mori jetët e 31 personave.
Në jug, zjarri i Woolsey-t ka marrë dy jetë, pasi ka dëmtuar vendpushimet e plazhit, duke përfshirë Malibunë.
Rreth 250,000 vetë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në të gjithë shtetin.
Duke folur në një konferencë shtypi të hënën në mbrëmje, shefi i qarkut Butte, Kory Honea, konfirmoi numrin e të vdekurve dhe numrin zyrtar të të pagjeturve.
Disa trupa u gjetën në makinat e shkrumbuara, të cilat u prekën nga zjarri.
Mes viktimave ishin edhe banorët e moshuar me probleme për të lëvizur, ose njerëzit që vendosën të qëndrojnë përkundër urdhrave të evakuimit.
Ekspertët mjeko-ligjorë po shtojnë kërkimet e tyre në rrënojat e Paradise, por zyrtarët paralajmërojnë se gjetja e trupave mund të zgjasë disa javë.