Nga Panajot Barka
Fillimisht, falenderoj median në Shqipëri që mirëpresin shkrimet e mia. Vlerësoj qëndrimin e tyre si kontribut civilizues nëpërmjet mendimit ndryshe dhe si mundësi për ruajtjen e komunikimit ekuilibrues.
Së dyti, dua të distancohem nga ekstremizmi që cënon interesat që na bashkojnë, ashtu si edhe nga qëndrimet që shtrembërojnë të vërtetën në emër të nacionalizmit të rremë.
Së treti. Shpërthimi i furtunës së fundit në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi kanë si pikënisje, në dukje, dy anë të kundërta të ditës së fundit, të jetës së Kostandinos Kaçifës. E para, është akti i dënueshëm i përdorimit prej tij të armës dhe e dyta vrasja e tij prej shtetit në kapërxim të ligjit (faktet tona këtë tregojnë), dhe për më tepër pa marrë parasysh provokimin e sensibiliteteve etnike deri në shpalljen e tij hero.
Së katërti, ndërhyrja ime në lidhje me këtë ngjarje synon një analizë më të gjerë, duke vënë në qëndër të vëmendjes frikën e shtuar që kaplon minoritetin etnik grek këto ditë, në raport me historinë, me realitetin dhe perspektivën e tij.
Ky minoritet përballet aktualisht nga njëra anë me fashën solide dhe dënuese deri në kërcënim të opinionit publik shqiptar me elementë të dukshëm nacionalistë antihelen. Në anën tjetër ndodhet nacionalizmi helen i provokuar nga vrasja e 35-vjeçarit Kaçifas, nënshtetas shqiptar e grek me kombësi greke. (Vrasja ndodhi në ditën e festës kombëtare të Greqisë, në fshatin e tij, në të cilin po hidhej hapi i parë serioz në raport me të rënët grekë të luftës ndaj pushtuesve fashistë në 1940-41.)
Provokimi u shtua nga politika zyrtare në Shqipëri e cila në përpjekje për të veçuar Kaçifën nga pjesa tjetër e minoritetit shpejtoi për t’a karrekterizuar atë terrorist dhe të fantaksur dhe përkrahësit e tij me cilësime ekstreme dhe vulgare. U ushqye nga media të caktuara shqiptare që në mënyrë të papërgjegjshme, por më shumë të qëllimshme, emetonin lajme që i shkonin përshtat nxitjes së nacionalizmit grek.
Ardhja për varrimin e K. Kaçifës, shpalosja e qëndrimeve të tyre dhe ikja brenda ditës në Greqi, e bënë frikën e anëtarëve të komunitetit të etnisë greke në Shqipëri, më të frikshme. Nga njëra anë se kontribuan në amplifikimin e retorikës nacionaliste antihelene të palës shqiptare. Nga ana tjetër, largimin e tyre po atë ditë dhe me peripecitë e njohuara, rritën ndjesinë e të qenurit peng të frikës tek bashkëkombësit të tyre banorë në territorin e shtetit shqiptar.
Këtë ndjesi e shton përpjekja e shtetit shqiptar për të marrë “në mbrojtje” minoritarët grekë në Shqipëri nga “ekstremistët” grekë të Greqisë, retorikë që të kujton periudhën e diktaturës komuniste.
Po e ndihmon edhe pala greke, e cila në përpjekjen e saj për të patur marrëdhënie të mira me Tiranën, harron dhe anashkalon realitetin e minoritetit të vet në Shqipëri.
Ndikojnë përvojat e hidhura të 1990, 93, 94-95, 97, 98-99, 2003 etj të cilat fituan një amblifikim të dukshëm, pasi edhe në këtë vrasje u ricikluan episode të ngjashme.
Një argument shtesë në spektrin e gjerë të frikës, përbën fakti se kësaj here i është vënë më shumë syri i dëmtimit të marrëdhënieve midis popujve, shteteve dhe krijimit të terrenit për një zinxhir hakmarrës, pjesë e të cilit mund të jetë kushdo prej nesh.
Por më shumë ndikon ndërgjegjësimi i pjesëtarëve të komunitetit të etnisë greke se shpërthimet nacionaliste në formë mjegulle, kanë si themel mungesën e vullnetit për të thënë e zbuluar të vërtetën mbi ngjarjen, dhe krijimin në mënyrë artificiale dhe të qëllimshme të episodeve tepër të rënda, që të kujtojnë madje tragjeditë e lashta greke, siç ishte rasti i mbajtjes pa arsye bindese të trupit të Kaçifës për 12 ditë rresht.
Një rreth tjetër frike përbën vet ngjarja. Ditët që pasuan 28 tetorin krijuan gjithë mundësinë për të kuptuar se ngjarja ishte e parathënë. Ndoshta, nuk ishte parashikuar fundi tragjik i Kaçifës, – ashtu si me 1994 në Peshkopi. Eshtë e vërtetë se nuk ka përgjigje për arsyet që e shtynë Kaçifën për të kryer aktin e dënueshëm të përdorimit të armës, (madje dhe në drejtim të policisë, pavarësisht se nuk donte të vriste kënd) në ditën e festës kombëtare të Greqisë, kontribues për të cilën ishte dhe vet ai. Por, ka një përgjigje që vjen nga rrethi i tij pjesë e të cilit abuzonte me ndjenjat dhe sinqeritetin e karakterit të tij. Nga njëra duke e shtyrë dashurinë e tij për vendin dhe kombin e vet tej kufijve të normales dhe nga ana tjetër duke e tradhëtuar si ekstremist.
Por dhe vet dinamika e ngjarjeve të asaj të diele shtrojnë pyetje gozhduese. Pse u vra 35 vjeçari? A u ezauruan dispozitat e ligjit për përdorimin e armës, dmth a u ezaruan të gjitha mundësitë për t’i shpëtuar jetën Kaçifës? Mos vallë në gjyq ai do të fliste për gjëra që nuk duhen mësuar kurrë? Nëse nuk është kështu, ku ndodhet telefoni i tij, dëshmitari i fundit që mund të na tregojë shumë gjëra? Trajektorja e dy plumbave që i morën jetën 35 vjeçarit tregojnë se ai u vra në këmbë. Distanca nga u qëllua, sipas një profesori mjekoligjor duhet të ishte rreth 15 metra. Persona që e panë të vdekur, thanë (pa dashje) se 35-vjeçari kishte renë me duar të hapura (?!) Përse, ndryshe nga rregulli, nuk posedohet videoja për dinamikën e ngjarjes? Përse vrasja ndodhi, sapo ceremoniali ndërshteteror për varrëzat e ushtarëve grekë kishte mbaruar? Mos vallë është vepruar me logjikën e gazetarit të njohur për investigimet e tij, se u vra për të pëcjellë mesazhin se ky vend ka zot, dhe për këtë lë të qajnë nënat e tyre? Përse u hap kaq shumë loja me spiunë të shërbimeve sekrete këto ditë në minoritetin etnik grek?
Të gjitha këto pyetje dhe dyshime në subkoshienecën dhe koshiencën kolektive të minoritetit grek gjejnë përgjigje në imazhin e vrasjeve të bashkëkombasëve të tyre nga sistemi komunist për shkak të dashurisë së tyre për kombin amë.
Një rreth tjetër frike përbën presioni shqiptar mbi minoritetin grek për të mohuar identitetin etnik, të drejtat dhe historinë e tij, duke përdorur si mjet paternalizmin nga njëra anë dhe tejkalimin e masës, qoftë edhe në kufi të patolerueshme, për të drejta që minoritetit i takojnë nga ana tjetër. Rasti Kaçifa përbën shembullin më të ri dhe më tipik.
Ai kishte një armë por nuk e përdori për të vrarë njeri. Donte shumë vendlindjen e vet, ndaj la Greqinë dhe erdhi për të jetuar në të, donte identitetin e vet etnik dhe e shprehte këtë me shpalosjen e flamurit (ndoshta duke tejkaluar masën e së drejtës të njohur me ligj). Çdo gjë në territorin gjeografik të fshatit të vet. Çdo gjë si veprime individuale. Asgjë në dëm të shtetit shqiptar. Por u vra për t’u shpallur ekstremist, terrorist, iredentist nga njera anë dhe hero nga ana tjetër!
Le të zhveshim sado pak patosin grek në ditën e varrimit të K. Kaçifës. Të parin gjë që do të shohim është se, ndërsa kishte prani greke me tepricë, por nuk kishte asgjë antishqiptare. (Madje çdo përpjekje e tillë ndalohej dhe denohej nga vet të pranishmit).
Tepria greke konsistonte në dy elementë bazë që në fakt nulizojnë çdo karakterizim për irredentizëm grek. Së pari u demonstruan standarte të dëgjuara në çdo miting me përmbajtje kombëtare greke, apo për çdo person që humb pa të drejtë jetën. Aq më tëpër që në rastin konkret Kaçifas ishte identifikuar me flamurin grek dhe vonesa me ditë të tëra të varrimit të tij nga shteti shqiptar kishte provokuar ndjenjat nacionaliste në Greqi. Së dyti në Bularat rimarrja e shabllonëve të njohura historike (dhe anakronike) pa asnjë “vizion” të ri “irredentismi kërcenues” për Shqipërinë, besoj se i la pa armë nacionalizmin ekstremist antihelen në Shqipëri.
Vet Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati konstatoi irredentizmin tek termi “Vorioepir” (!) Mendoj se ky fakt përbën abuzimin me të keq për t’i imponuar kohës, realitetin dhe minoritetit mohimin e historisë dhe ngjarjet historike në lidhje me të. Dihet së pari që vendosja e kufijve shtetërore midis Greqisë dhe Shqipërisë ndau unitetin mijravjeçar të Epirit në dy pjesë, në Epirin e Veriut (greqisht Vorioepir) dhe në atë të Jugut, pjesë reciprokisht të Shqipërisë dhe Greqisë. Dihet së dyti se autonomia e Vorioepirit është një fakt historik, me një protokoll të firmosur nga pala shqiptare (M. Frasheri), nga përfaqësuesit e Vorioepirit, nga fuqitë e mëdha dhe pala greke. Dihet historikisht se për autonominë e Vorioepirit ishin pro dhe luftuan bashkë popullsi të etnisë greke dhe shqiptare, myslimane dhe ortodokse në këtë territor, madje nën trysninë sabotuese të qeverisë së Athinës. Kështuqë, ta mohosh si ngjarje, apo më keq, ta identifikosh atë me minoritetin grek dhe t’ja faturosh atij sot si aktualitet irredentist, është e paprecedentë, aspak serioze dhe mjet i padenjë presioni.
Të tilla janë dhe përpjekjet për t’i imponuar këtij minoriteti historinë e stisur si i ardhur në trojet e veta diku nga shekulli i XVIII-XIX, ndaj duhet të pranojë mëshirën shqiptare. Deri na atë shkallë shkon ky presion saqë kushdo që nga ky minoritet deklaron se jemi autokton, shpallet hero.
I paprecedentë mbetet mohimi historik i faktit se tri batalionet partizane nga ky minoritet luftuan përkrah partizanëve shqiptarë në premtimin e Paktit të Atllandikut se pas luftës do të vendosnin vetë për fatin e tyre, dmth nëse donin apo jo bashkimin me Greqinë.
Po ashtu i dëmshëm mbetet paternalizmi shqiptar për të mohuar të gjitha figurat historike të minoritetit që nuk u bënë shërbyes të qeverive shqiptare, sidomos të Enver Hoxhës, apo për të pohuar në emrin e këtij minoriteti se ai vazhdimisht gëzonte dhe i gëzon të gjitha të drejtat, ndërkohë që nuk guxon të shkruajë emrin e vendbanimit të tij në gjuhën amtare.
Kjo do të thotë se ndërtimi i një profili bashkëjetese tradicionale si ndër shekuj nuk mund të arrihet as me kultivimin e frikës tek pakica dhe as me frikën e shumicës nga pakica. Aq më tëpër kur raste të tilla i kundërvihen totalisht historisë dhe realitetit të marrëdhënieve të njerëzve të thjeshtë.