Vendosni fjalën kyçe....

“Unaza e Re”, Basha nxjerr dokumentet: Banorët duhet të marrin dëmshpërblim të plotë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbrëmjen e sotme në protestën për “Unazën e Re” në Tiranë publikoi dokumenta dhe u shpreh se çdo banor i Unazës së Madhe në proces legalizimi duhet të marrë dëmshpërblim të plotë.
“Kam dy vendime të Këshillit të Ministrave në duart e mia. Njëri i vitit 2011 dhe tjetri i vitit 2012. I pari i vitit 2011 përcakton një precedent ligjor, ku vendos qartë që të gjithë ata kur janë në proces legalizimi, ata që kanë bërë vetëdeklarimet, në rast të ndërtimit të veprave publike, do të shpronësohen me vlerën e tregut dhe do të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. 

VKM-ja e dytë është zbatimi i këtij precedent ligjor në një projekt që është pikërisht ndërtimi i Unazës së Madhe këtu ngjitur, ku, me këtë VKM të vitit 2012, ja ku keni edhe listën e banorëve të cilët sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, pavarësisht nëse ka përfunduar apo jo procesi i legalizimit, përsa kohë ka bërë vetëdeklarimin, përsa kohë janë në proces legalizimi, ata trajtohen njësoj si të ishin të legalizuara. Pra vlerësohen, shpronësohen dhe dëmshpërblehen me vlerën e tregut.”- tha Basha 

Kryetari i PD shpjegoi se dëmshpërblimi është rruga e vetme ligjore për familjet që preken nga projekti. 

“Precedenti ligjor është i qartë. Zbatimi i ligjit nuk lë asnjë rrugë tjetër përveçse vlerësimit të çdo centimetri katror të secilës prej këtyre 317 banesave, të 1 mijë familjeve të kësaj zone dhe dëmshpërblimit me vlerë tregu me para në kontot e tyre bankare para se të lëvizë lopata e parë. Çdo gjë tjetër është e paligjshme, është kriminale. E vetmja gjë e ligjshme që po ndodh këtu është rezistenca e banorëve. Qendresa dhe rezistenca e banorëve mbështetet në Kushtetutë dhe gjithçka tjetër është e paligjshme dhe kriminale në kuptimin ligjor të fjalës..” – u shpreh Basha. 

Kreu i opozitës siguroi banorët për mbështetjen pa rezerva të opozitës dhe vuri në dukje se ky është rasti për të kujtuar paralajmërimin e tij të disa muajve të parë se “teatri është vija e kuqe dhe, po u prish Teatri, në këtë mënyrë nesër do të prishin shtëpitë e shqiptarëve”. Basha tha se çdo veprim kundër interesit qytetar, kryeministri dhe qeveria e tij barbare e bëjnë pa ligj dhe kundër ligjit. 

“Prandaj ashtu si Teatri Kombëtar është vijë e kuqe edhe këtu dy herë vijë e kuqe për Partinë Demokratike dhe për opozitën. Në kushtet e shembjes së shtetit ligjor dhe dhunimit të të drejtave të tyre, këta qytetarë kanë të drejtë të bëjnë gjithçka për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Partinë Demokratike, Lulzim Bashën dhe opozitën do t’i kenë në krah.”- u shpreh kreu i opozitës.  

Dokumentet e publikuara nga Basha:

VKM PROCES LEGALIZIMI 2011

VKM SHPRONESIMET 2012


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *