Në Britaninë e Madhe kabineti qeveritar ka dhënë mbështetjen e tij këtë të mërkurë për draftmarrëveshjen e rakorduar mes negociatorëve britanikë e europianë për “Brexit”-in.
Këtë ka njoftuar në një dalje të jashtëzakonshme për mediet kryeministrja britanike, Theresa May, pak pasi doli nga një takim që zgjati më shumë se 5 orë me të gjithë pjesëtarët e kabinetit.
“Vendimi kolektiv i kabinetit ishte se qeveria duhej të binte dakord me draftin e marrëveshjes së shkëputjes dhe për të hartuar tashmë deklaratën politike”, tha May nga jashtë ambienteve të zyrës së saj në Downing Street, raporton CNN.
Pritet të dalë në një konferencë për shtyp edhe kryenegociatori europian për “Brexit”-in, Michel Barnier.