Templates by BIGtheme NET

Ambasada amerikane kundër taksës së Kosovës ndaj mallrave nga Serbia

Në Prishtinë, e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane, Colleen Hyland, tha se Kosova nuk përfiton nga rritja e taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social twitter, ajo shkroi se “Kosova nuk përfiton nga rritja e detyrimeve ndaj anëtarëve tjerë të CEFTA-s. Vetëm krijon pasiguri për bizneset dhe jo qëndrueshmëri ekonomike. Më mirë është që të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar një të ardhme më të frytshme përmes bisedimeve”.

Qeveria e Kosovës miratoi javën e kaluar vendimin për t’u vënë taksa shtesë prodhimeve nga Serbia, si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare por edhe siç thuhet përzierjes së saj në punët e brendshme të Kosovës.

Sipas qeverisë taksa shtesë prej 10 për qind përfshinë mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia por edhe nga Bosnja e Hercegovina, e cila nën trysninë e entitetit serb, vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Kosova importon mallra nga Serbia me vlerë prej mbi 400 milionë eurosh dhe zyrtarë të qeverisë thanë se ajo po i përdorë paratë e fituara në Kosovë për të dëmtuar shtetësinë e saj.

Taksa nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe mbizotëroi takimin e fundit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel. Presidenti serb tha se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh derisa kjo nuk hiqet.

Bashkimi Evropian, e cilësoi veprimin e Kosovës si shkelje të qartë të detyrimeve të Kosovës sipas CEFTA-s, (marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore) dhe kërkoi të tërheqë atë.

Marrëveshja CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Kosova është anëtare e kësaj marrëveshjeje që nga viti 2007.

Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është kusht për integrimet evropiane, ndonëse kundërshton pavarësinë e saj që u shpall në shkurt të vitit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Marrë nga VOA

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto