Vendosni fjalën kyçe....

Krimi elektoral, arrestohen në Maqedoni ish-ministri dhe ish-sekretari i Gruevskit


Ish-ministri i Transportit të Maqedonisë, Mile Janakieski dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i qeverisë, Kiril Bozhinovski, janë arrestuar natën e mbrëmshme dhe  janë dërguar në burgun e Shutkës, raporton Portalb.mk

Ata po hetohen nga Prokuroria Speciale për korrupsion dhe do qëndrojnë prapa hekurave të burgut për 30 ditë si masë paraprake.

Kjo masë vjen për shkak të rrezikut se mund të arratisen, ashtu siç bëri ish-kryeministri Gruevski, i cili është dënuar në Maqedoni me 2 vjet burg për korrupsion. Gruevski mbërriti ditën e djeshme në Hungari ku edhe kërkoi azil politik.

Sipas Prokurorisë Speciale të Maqedonisë, arrestimi i dy ish-zyrtarëve vjen pasi ekziston rreziku që edhe ata të arratisen.

“Gjatë ditës së djeshme kemi marrë informacione sipas të cilave jo vetëm i dyshuari Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, por për t’u arratisur në mënyrë të njëjtë janë përgatitur dhe Kiril Bozhinovski si dhe Mile Janakieski”, ka thënë prokurorja e Prokurorisë Speciale, Stefanova.

Edhe ndaj ish-ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska, gjykata ka vendosur arrest me burg, pasi ka dyshime se edhe ajo mund të arratiset nga vendio.

Vetë Jankulovska e ka cilësuar si të tepërt këtë masë duke qenë se nuk ka ndërmend të arratiset.

Ajo po gjykohet për rastin “Titanik”, ku akuzohen për shoqërim kriminal, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore në vitin 2012. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *