Mesditën e sotme në Shkodër ndodhi një ngjarje e rëndë ku mbeti i vrarë babai i 4 fëmijëve, Fatos Ferracaku, 40 vjeç dhe u plagos Fatmir Mehaj.
Mësohet se Ferracaku ishte dhëndri i Mehajt dhe ky i fundit kishte ndërhyrë në çastin që atentatorët qëlluan mbi viktimën.
Dëshmitarët kanë deklaruar se dy atentatorët kishin qenë me skafandër mbi një motoçikletë dhe sapo i janë afruar Ferracakut, njëri prej tyre e ka qëlluar në kokë. Në çast ka ndërhyrë Mehaj të cilin ai e ka qëlluar me plumb në këmbë.
Sipas policisë, në vendin e ngjarjes nuk ka kamera sigurie ndërsa deri tani janë shoqëruar disa të dyshuar dhe disa dëshmitarë. Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja arme zjarri. Viktima dhe i plagosur ishin të dy tregtarë peshku në tregun e Shkodrës.
Larg vendit të ngjarjes, në lagjen Guerrile, policia ka gjetur një motoçikletë të djegur, që dyshohet se i përket autorëve të atentatit. Duhet të themi se viktima e sotme është i afërt i biznesmenit Arjan Ferracaku, që u vra pak muaj më parë.