Ekonomia gjermane është tkurrur gjatë tremujorit të tretë për herë të parë që prej vitit 2015, ndërkohë që tensionet globale të tregtisë dhe problemi vendas në industrinë e makinave, kanë frenuar nxitësin tradicional të ekonomisë që është tregtia neto.
Produkti i Brendshëm Bruto i ekonomisë më të madhe të Europës ra me 0.2% në tremujorin e tretë krahasuar me të dytin, sipas zyrës Federale të Statistikave.
Megjithatë, Ministria e Ekonomisë deklaroi se rimëkëmbja do të vazhdojë në tremujorin e katërt, duke shtuar se rënia në periudhën Korrik-Shtator, ka ardhur prej prezantimit të standardeve të reja të ndotjes (ËLTP) për makinat.
“Një tkurrje me 0.2% nuk është një katastrofë”, tha ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier. Me bazë vjetore, ekonomia u rrit me 1.1% në tremujorin e tretë, poshtë projeksioneve për 1.3% rritje.
Zyra e Statistikave deklaroi se rënia e PBB krahasuar me tremujorin e dytë erdhi kryesisht nga tregtia e jashtme, ndërkohë që eksportet kanë rënë dhe importet janë rritur. Tkurrja në tremujorin e tretë ishte e para që prej fillimit të 2015-ës për ekonominë gjermane.
Qeveria kishte paralajmëruar për një performancë të dobët, duke përmendur problemet në sektorin e makinave që erdhën prej rregullave të reja.
Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se problemet nga rregullat e reja të ndotjes për makinat, i kanë hequr ekonomisë gjermane 0.4%. Investitorët janë shqetësuar për ekonominë gjermane, që ndodhet në rritje për 9 vite radhazi, prej tensioneve tregtare dhe daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Përveç pasigurisë nga politikat tregtare të Donald Trump, firmat shqetësohen edhe nga destabiliteti në vend, ku koalicioni i Angela Merkel ka qenë 2 herë pranë kolapsit.