Kryetari i Komisionit të Integrimit, deputeti demokrat, Pollo, ka publikuar konkluzionet e Këshillit të Stabilizim Asociimit. Sipas tij, nuk ka progres për negociatat me BE-në.
Shqipëria ka nevojë kritike për rezultate të prekshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe narkotikëve.
“Edhe në këtë lagje të Brukselit dashamirëse me ta Rama e Bushati nuk ndërtojnë dot më Fasadën e Potjemkinit. Edhe kjo deklaratë tregon se qeveria rilindiste po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë për hapjen e negociatave të antarësimit.” – thuhet në reagimin e deputetit demokrat.
Deklarata e Pollos
Kush pretendon se dje në Bruksel, në Keshillin e Stabilizim Asocimit (KSA) qeveria Rama mori lavdërimin e rradhës nga Komisioni Europian do të ketë dëgjuar vetëm intervistat e Bushatit por nuk ka mundësi të ketë lexuar deklaratën e KSA ku pala europiane u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë Mogherini.
Ndërkohë që në mbledhjen para një viti, më 15 nëntor 2017, znj. Mogherini “mirëpriti hapa kundër krimit e korrupsionit e suksese kundër kanabisit” në vijim të mbledhjes së djeshme u tha se ” BE ritheksoi nevojën kritike për të arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar veçanërisht kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve.
Kontrasti sipas Mogherinit duket qartë:
1-në 2017 mirëpresin hapat, në 2018 ritheksojnë nevojën kritike për rezultate të prekshme;
2-në 2017 flitet në përgjithësi për krim e korrupsion, në 2018 për korrupsion në të gjitha nivelet;
3-në 2017 flitet vetëm për kanabis, në 2018 flitet për “drugs” pra narkotikë të tërë llojeve përfshi kokainën.
Edhe në këtë lagje të Brukselit dashamirëse me ta Rama e Bushati nuk ndërtojnë dot më Fasadën e Potjemkinit. Edhe kjo deklaratë tregon se qeveria rilindiste po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë për hapjen e negociatave të antarësimit.