Vendosni fjalën kyçe....

Koncensionet PPP në fuqi arrijnë 12.7 % të PBB-së, çojnë borxhin në 83%


Kontratat koncensionare me Partneritet Publik-Privat që tashmë janë në fuqi kapin një shifër prej 210 miliardë lekësh.

Shuma përfshin financimin e 16 kontratave, të cilat tashmë kanë një fitues. Shumica prej tyre janë në zbatim dhe financohen nga buxheti, ndërsa tre prej tyre janë shpallur fitues dhe janë në proces të finalizimit.

Vlera e kontratave koncensionare e cila dominohet nga rrugët, pa përfshirë ato që janë në proces dhënie arrin në 12.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të këtij viti (që llogaritet në mbi 1,6 trilionë lekë).

Ministria e Financave parashikon në relacionin e projektbuxhetit 2019 se në fund të 2018-s treguesi zyrtar i borxhit pritet të arrijë në 69.9% PBB-së. Në këtë tregues nuk janë përfshirë pagesat për kontratat koncensionare.

Bashkë me këto kontrata treguesi real i borxhit shkon në 78.7 për qind e PBB-se. Po të llogarisim e detyrimet e praprambetura të qeverisë të cilat sipas ministrit Ahmetaj janë në rreth 14 miliardë lekë aktualisht borxhi real i vendit është edhe më i lartë.

Pjesa më e madhe e detyrimeve të koncensioneve  në fuqi me PPP i takojnë kontratave të rrugëve të cilat zënë rreth 55 për qind me rreth 125 miliardë lekë. Më tej për shumën e madhe të financimeve vijnë kontratat në sektorin e shëndetësisë dhe ato në trajtimin e mbetjeve.

Dy nga kontrata janë trashëguar para vitit 2013, si ajo e markimit të karburanteve dhe skanimit në dogana me një vlerë rreth 28 miliardë lekë.

Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka programuar të kontraktojë me PPP, 3 akse rrugore, 2 aeroporte, 6 shkolla në Tiranë dhe 1 spital rajonal në Fier. Kontratat në fuqi dhe ato të projektuara për 2019 arrijnë një vlerë sa 21.8% e PBB-së.

Kjo shumë nuk është përfshirë në llogaritë e borxhit publik, por qeveria, nëpërmjet buxheteve vjetore, përllogarit pagesat vjetore të cilat nuk duhet të jenë më shumë se 5% të të ardhurave tatimore.

Ministria e Financave ka njoftuar se vlera e parashikuar për financimin e kontratave të koncesioneve për vitin 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe përbën vetëm 3% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2018, prej 419.4 miliardë lekësh.

Por kur të gjitha kontratat të hyjnë në fuqi, pagesa vjetore pas vitit 2021 rritet në mënyrë të pashmangshëm, duke e bërë nul kufirin 5%.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, pohon se ruajtja e kufirit 5% do të jetë e pamundur vetëm pak vite më vonë, për shkak të vlerës së madhe të kontrata me PPP.

Malaj tha se ulja e borxhit publik këtë vit i dedikohet nënvlerësimit të euros, por nëse në vitet në vijim kthehet normaliteti në tregjet e këmbimit dhe normat e interesit i kthehen rritjes, shërbimi i borxhit do të vështirësohet deri në krijimin e një situate kolapsi.

Si po fshihet borxhi

Sipas standardeve të raportimit të borxhit nga Ministria e Financave, vlera e kontratës nuk shtohet në borxh, por vetëm pagesat që parashikohen të kryhen sipas viteve, duke qenë në këtë mënyrë, një borxh i fshehur.

Më herët FMN ka tërhequr vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë projekttet e partneritetit publik privat (PPP).

Fondi ka kërkuar vazhdimisht që ndikimi i këtyre projekte, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik.

FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *