Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka dhënë një intervistë në Panairin e Librit.
Gjatë intervistës Kryemadhi deklaroi se vendi ka shumë probleme si varfëria, papunësia, paligjshmëria me të cilën qeveriset dhe arroganca e instituconeve shtetërore.
Ajo theksoi se opozita do jetë në funksion të qytetarëve pasi do jetë populli që do e drejtojë kurse opozita do jetë instrumenti i saj.
Znj. Kryemadhi në dhjetor është afati i fundit për opozitën për t’u rikthyer në Kuvend dhe për të shpëtuar mandatet. A do të riktheheni ju në Parlament apo do t’i digjni mandatet?
E para mua nuk më duket problemi kryesor sot çështja e mandateve të deputetëve, sepse Shqipëria dhe politika shqiptare ka probleme shumë më të mëdha. Mendoj sot se problemi më i madh për shqiptarët është varfëria, papunësia.
Mendoj që problemi më i madh është mungesa e shpresës e brezit të ri, të cilët çdo ditë e më shumë po largohen nga Shqipëria.
Ndjej një kënaqësi shumë të madhe kur shikoj gjithë këta fëmijë që vijnë të organizuar nga shkollat për të marrë pjesë në Panairin e Librit, që është një kulturë që duhet ta stimulojmë shumë më shumë.
Ndërkohë ndjej edhe dhimbje që po t’i pyesësh, edhe nga vetë sondazhet që janë bërë del që 79% e fëmijëve nga mosha 7-14 vjeç kërkojnë për t’u larguar nga Shqipëria.
Dhe mendoj që mandatet e deputetëve sot përballë këtij realiteti shumë të hidhur nuk janë asgjë.
Është një detaj shumë periferik mund të thoja, aq më shumë kur i bashkangjitesh edhe problematikave dhe arrogancës së shtetit me banorët e Astirit, të cilat janë mbi 360 banesa që do të shkatërrohen.
Dhe nuk vijnë si rezultat i shkatërrimit të zhvillimit të rrugës sepse nuk ka absolutisht që mund të jetë kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por zhvillimi i tyre vjen si shkak i spostimit të shtratit të Lanës, për të krijuar hapësira dhe sheshe ndërtimi për ndërtues, të cilët i kanë kthyer kompanitë e tyre në kompani të pastrimit të parave.
Zonja Kryemadhi si e shihni thirrjen e Eurokomisionerit Hahn, i cili bëri dje thirrje që opozita të ndërpresë bojkotin parlamentar dhe është një shans i mirë që palët të punojnë për reformën zgjedhore?
Dua të them që deklaratat e Brukselit të cilët kemi më shumë se 2-3 vjet që po i dëgjojmë për stabilitet. Ne nuk jemi për stabilitetin e Edi Ramës. Ne jemi për stabilitetin e rajonit dhe institucioneve shtetërore. Sot ne kemi institucione të kapura dhe të uzurpuara nga krimi i organizuar me në krye Edi Ramën.
Mendoj që Brukseli ka gabuar jashtëzakonisht shumë më strategjinë që ka ndjekur ndaj Shqipërisë. Ne kemi një vend, i cili aspiron dhe dëshiron pafundësisht për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Edhe pse është pjesë e Europës, nuk është pjesë e një strukture burokratike të themi apo dhe institucionale siç është Bashkimi Europian, është aspirata e shqiptarëve, por kjo strukturë nuk ka të bëjë me dëshirat individuale të secilit prej nesh.
Kjo strukturë tashmë dhe përfshirja e Shqipërisë në BE ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve. Nuk mund të flasim për të mbyllur bojkotin e opozitës, sepse nuk e ka bojkotuar opozita Parlamentin, e ka bojkotuar Rilindja Parlamentin, të cilin e ka kthyer në një institucion në shërbim të bandave.
Ajo çka të bën më shumë përshtypje dhe që ndihesh me të vërtetë shumë e indinjuar për shkak të naivitetit që vjen ndonjëherë nga institucionet ndërkombëtare që do të dëshiroja të ishte thjesht një naivitet politik, sesa do të dëshiroja të ishte e vërtetë që mund të ishte një naivitet i stimuluar nga qeverisja shqiptare.
Znj. Kryemadhi gjatë takimit me strukturat e Durrësit ditën e djeshme ju keni përmendur edhe protestat. A ka një plan opozita për tubime masive?
Ne jemi në kontakt. Unë sot do të jem në Dibër. Nesër do të jem në rrethe të tjera. Gjatë gjithë fundjavës do të jem në gjithë Shqipërinë në lëvizje.
Ajo çka dua të them dhe theksoj është se takimet janë të drejtpërdrejta me qytetarët, me strukturat sepse mendoj që lëvizjet e opozitës nuk do të jenë më lëvizje politike, të cilat merren me lëvizjen politike në strukturat politike, por lëvizjet e opozitës në të ardhmen do të jenë lëvizje, të cilat do të konsultohen me qytetarët.
Pse? Sepse do të jenë qytetarët, do të jetë populli ai që do ta drejtojë opozitën. Ne do të jemi istrumentat, për të cilët shqiptarët do të arrijnë qëllimin e tyre. Vendosjen e drejtësisë që iu ka munguar për gjithë këto vite.
Znj. Kryemadhi, këtë 30 qershor do të kemi vetëm zgjedhje vendore apo edhe parlamentare?
Unë di që Presidenti ka dekretuar zgjedhjet e pushtetit vendor, por mendoj që me shitblerjen e votës, me përgjimet e vetë Prokurorisë të kapur nga Edi Rama, shikojmë se si me lekët e Rilindjes janë blerë votat e shqiptarëve, me raportin e BE-së vetë të z. Hahn apo znj. Mogherini, apo edhe të OSBE-ODIHR, ku del se 20% e votave të shqiptarëve janë të blera dhe do të ketë akoma fakte të tjera në të ardhmen.
Të cilat do ta vërtetojnë akoma më shumë blerjen dhe kapjen e mandateve të maxhorancës në Parlament, mendoj që nuk është më thjeshtë çështje e dëshirës së opozitës se sa është çështja e ngritjes dhe e vendosjes së institucionit të drejtë të votës së shqiptarëve në vendin e duhur.
Znj. Kryemadhi jemi pa një ministër të Brendshëm, pasi Presidenti Meta nuk e ka dekretuar z. Sandër Lleshi, cili është qëndrimi i LSI-së për figurën e Sandër Lleshit?
LSI-ja nuk është institucion Vetting-u që të bëjë figurat e njerëzve. 5 metra larg ja ku e keni Presidencën, shkoni dhe pyeteni për z. Sandër Lleshi . Për mua nuk ka rëndësi Ministria e Brendshme apo me ministër, pa ministër.
Di të them që Ministria e Brendshme është një institucion i kapur dhe çdo lëvizje që Edi Rama bën, është një lëvizje për ta kapur dhe për ta kontrolluar akoma më shumë për të zbutur frikën dhe makthet që ai ka për faktet dhe argumentat e tjera që do të vijnë shumë shpejt të lidhjes së z. Rama me krimin dhe trafikun e drogës.
Fokusi i opozitës është përqendruar më shumë te Rama dhe Veliaj po lihet i qetë.
Unë nuk mund të hyj në problemet e brendshme që ka Edi Rama me Veliajn, por di të them që shkaktari i të gjithë të keqes së sotshme është Edi Rama. Erion Veliaj është ushtar i perandorisë së Edi Ramës.