Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar si betejë idioteske atë që po ndodh për sa i përket zgjerimit të rrugës te Unaza e Re, ku prishen më shumë se 300 banesa e biznese.
“Për të mos lënë jashtë vëmendjes betejën e radhës me mullinjtë e erës të asaj që ka ngelur nga opozita në vend. Pas dështimeve të këndet e lojërave në Parkun e Tiranës. Pas dështimeve të Sheshi Skënderbej, pas historisë së pakuptimtë të Teatrit Kombëtar tani kemi edhe një betejë idioteske tjetër siç është kjo për të penguar vijimin e ndërtimit të Unazës së Tiranës.” – deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.
As Partia Demokratike dhe as banorët nuk janë shprehur kundër ndërtimit të segmentit te Unaza e Re, por kanë kërkuar dëmshpërblim të plotë për të gjithë banorët që preken nga projekti dhe u shemben shtëpitë.
Protesta nuk është organizuar nga Partia Demokratike por nga banorët të cilëve u prishen banesat ndërsa opozita ka qenë mbështetëse e këtyre protestave pasi i cilëson ato si të drejta.