Qindra njerëz janë ngritur në protesta, për shkak të komenteve në një gjyq mbi të brendshmet e një adoleshenteje të përdhunuar.
Në qytetin e Cork, një 27-vjeçar i akuzuar për përdhunimin e një vajze 17-vjeçare, u shpall i pafajshëm për shkak se viktima sipas gjykatësve kishte veshur të brendshme (tanga) që konsiderohen “shumë seksi” dhe provokuese”.
Pothuajse 300 gra marshuan në Gjykatën e Cork ku u veshën me të brendshme në shenjë proteste për komentet e bëra në gjyq për përdhunimin, shkruan “Irish Mirror”.
Elizabeth O’Connell, avokatja e agresorit, për të bindur jurinë se akuza ndaj klientit të saj nuk vlen, i tregoi gjykatës se çfarë kishte veshur viktima kur është përdhunuar, duke i treguar të brendshmet në sallën e gjyqit.
“Shiko si ishte veshur ajo. Kishte veshur vetëm një rrip me dantella”, tha avokatja.
Sipas avokates, vajza e kishte “vënë veten në pozita” për t’u ngacmuar për shkak të veshjes shumë seksi.
Marshimi i grave të Irlandës nisi në Limerick në orën 12.30, ndërsa një tubim u zhvillua gjithashtu në Dublin në orën 13.00. Protesta e Dublinit filloi në rrugën “St Patrick”.
Një tjetër protestë është parashikuar të mbahet të premten, në orën 3.30. në Waterford.
Grupi i të drejtave të grave ROSA, reagoi duke thëën se referimi për të brendshmet në gjykatë ishte një “turp” dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund ” gjykatave që fajësojnë viktimat”.
ROSA shkroi në mediat sociale: “Këto linja të akuzave mbi karakterin dhe fajësimin e viktimave janë fatkeqësisht një taktikë e zakonshme e përdorur para gjykatave që kanë të bëjnë me dhunën seksuale. Veshja nuk ka të bëjë me pëlqimin ose jo”
Përdoruesit e internetit kanë filluar fushatën nën moton #ThisIsNotConsent. Edhe në Parlament është protestuar, teksa deputetja irlandeze Ruth Coppinger hapi një palë tanga gjatë një seance parlamentare. Politikania pyeti: “Pse nuk kemi bërë ende asgjë për të ndaluar stereotipet e zakonshme rreth përdhunimeve? Si mendoni se qeveria duhet të veprojë me viktimat e mundshme në të ardhmen?”.