Dy persona të shpallur në kërkim, janë arrestuar brenda 12 orëve të fundit.
Mësohet se një 39 vjeçar nga Burreli, Gentjan Ahmetsulaj, rezulton i dënuar disa herë për vjedhje.
Në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë të arrestuar para 2 javësh, dyshohet se funksiononin si grup duke vjedhur automjete në Tiranë, që më pas i merrnin në Burrel.
I arrestuari tjetër është Jurgen Balliu, 23 vjeç, nga Bulqiza. I riu rezulton i dënuar me 3 vjet dhe 4 muaj burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike“.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit nr. 3 Tiranë, u bë e mundur që të kapet dhe ndalohet shtetasi i shpallur në kërkim :
Gentjan Ahmetsulaj, 39 vjeç, banues në Burrel, Bashkia Mat, i dënuar disa herë për vjedhje. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi dyshohet së në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë të arrestuar para 2 javësh, funksiononin si grup duke kryer aktivitet kriminal në fushën e vjedhjeve të automjeteve në qytetin e Tiranës, dhe më pas i sillnin në qytetin e Burrelit.
Si rezultat i një pune hetimore të pandërprerë, u arrit të kapet dhe ndalohet shtetasi G.Ahmetsulaj, i cili iu dorëzua shërbimeve të Policisë Tiranë për hetime të mëtejshme.
Në vijim të hetimeve janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e policisë se Komisariatit Mat, dy automjete tip ‘Benz Autoveturë’, të dyshuara të vjedhura në Tiranë.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në D.V.P.Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, si rezultat i një punë hetimore dhe profesionale, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
Jurgen Balliu, 23 vjeç, banues në fshatin Sopot, Bulqizë.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet dhe 4 muaj burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike“ , e parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.
Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur do ti referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Mat për hetime të mëtejshme”, njofton policia.