Për arratisjen e Gruevskit drejt Hungarisë ka folur së fundmi edhe eurokomisari për zgjerim Johannes Hahn. Ky i fundit është shprehur në Twitter se sundimi i së drejtës është një prej kritereve bazë për hyrje në BE.
“Sundimi i fuqishëm i së drejtës është një prej kritereve themelore për hyrje në BE. Pas viteve në regres, Maqedonia tani bën avancim të mirë në këtë fushë, duke e përfshirë edhe të drejtën penale. Të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe fqinjët duhet ta mbështesin këtë proces. Bëhet fjalë për kredibilitetin e Evropës!”, ka shkruar Hahn.
Kryeministri maqedonas Zaev ka habitur me deklaratat e tij lidhur me arratisjen e paraardhësit të tij, Gruevski.
Në një deklaratë të bërë ditën e sotme, Zaev tha se ka dyshime se Gruevski mund të jetë rrëmbyer dhe më pas është dërguar në Hungari.
“Publikisht po e parashtroj këtë pyetje. A është larguar me dëshirë Gruevski nga vendi apo mos ndoshta është rrëmbyer. Pres që vetë Gruevski dhe Hungaria të shprehen për këtë çështje dhe të më japin përgjigje”, tha Zaev.