Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Elbasanit.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 03:45, në një lokal në një nga lagjet kryesore të qytetit, jo shumë larg qendrës, në vendin e quajtur “Gurabardhi”. Shpërthimi ka ndodhur si pasojë e hedhjes së një granate dore.
Si pasojë e këtij shpërthimi ka mbetur i plagosur një person, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. I plagosuri është pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja.
“Në orët e para të mëngjesit në lagjen “Partizani”, Elbasan në ambjentet e një lokali është hedhur një granate dore e cila ka shpërthyer, dhe për pasojë është dëmtuar pronari i lokalit shtetasi A.A., rreth 32 vjeç, i cili ndodhej në lokal në ato momente.
I dëmtuari është transportuar në Spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve.”, thuhet në njoftimin e policisë.