Vendosni fjalën kyçe....

Guvernatori nigerian: Nuk kam marrë asnjë pagë në 8 vite!


Guvernatori i një shteti në jug-perëndim të Nigerisë thotë se ai nuk ka marrë asnjë pagë gjatë tetë viteve që ka kaluar në detyrë.

Rauf Aregbesola, prej 8 vitesh guvernator i Osun tha para një auditori gjatë një programi interaktiv të quajtur ‘Ogbeni Till Day Break’ se gjatë kësaj periudhe nuk kishte marrë asnjë pagë sepse nuk e ndjente të nevojshme, duke qenë se shteti e strehonte.

“Shteti më ushqen, mbush makinën time me karburant dhe më ka dhënë strehim. Me të gjitha këto, nuk kam nevojë për para.

Nuk kam para dhe asnjë llogari bankare askund.

Nuk kam shtëpi tjetër përveç asaj që ndërtova para se të bëhesha guvernator. Çdokush mund të hetojë nëse kam llogari bankare.”, tha guvernatori.

Aregbesola, i cili më 27 nëntor do të dorëzojë mandatin tek guvernatori i ri i zgjedhur, Gboyega Oyetola, tha se do të lirojë shtëpinë e qeverisë që të hënën, më 19 nëntor.

Ai tha se vendimi për të lënë shtëpinë e qeverisë më  herët, ishte që pasardhësit të tij t’i jepte kohë të mjaftueshme për të bërë rinovimet e nevojshme.

Mirëpo fjalët e Aragbesola-s nuk u pritën pozitivisht nga të gjithë sipas BBC-së. Në mediat sociale, shumë njerëz e akuzuan atë për gënjeshtra.

Shpenzimet e zyrtarëve nigerianë kanë qenë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, pasi u zbulua se senatorët kanë të drejtë për shpenzime mujore prej mbi 13 herë më shumë se pagat e tyre.

Një ish-guvernator tha se nigerianët do hidhëroheshin akoma më shumë nëse zbulonin se në çfarë parash kishin qasje guvernatorët.

Kur u pyetën se çfarë pendesash kishte për punën e tij si guvernator në tetë vitet e fundit, ai tha se nuk kishte keqardhje: “Nëse më jepni edhe katër vjet për të sunduar përsëri, unë do të bëj sërish atë që kam bërë më parë dhe nuk do të bëj asgjë ndryshe”.

Në planet e tij të ardhshme pas zyrës, Aregbesola tha se do të pushonte për njëfarë kohe nga politika, shkruan Premium Times.

“Isha pjesë e politikës që në shkollë të mesme. Unë kam qenë një burrë i munguar për shumë vite për shkak të politikës, por tani për tani, dua të jem me gruan time “, janë fjalët e tij.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *