Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Unazës së Re në ditën e 16-të të qëndresës: Rruga kalon mbi trupat tanë


Banorët e Unazës së Re po zhvillojnë sot protestën e radhës në ditën e 16-të të qëndresës së tyre. Ata janë mbledhur sërish në zonën e Astirit dhe kërkojnë me forcë plotësimin e kërkesave të tyre.

“Kjo rrugë nuk do bëhet pa u dëmshpërblyer të gjithë. Vetëm mbi trupat tanë do bëhet kjo rrugë. Këtu nuk do ndërtojë asnjë kompani pa u dhënë lekët banorëve shteti. Këtu në Unazë të Re nuk ka për t’i ecur manovra qeverisë, mos na provokoni, na lini të qetë në shtëpitë tona.” – shprehet njëri nga banorët.

Ndërsa një tjetër banore thotë se familja e saj nuk fle as natën pasi mund të vijnë fadromat t’u prishin banesën ndërsa shprehet se nuk më asnjë besim te shteti.

Banorët kërkojnë dëmshpërblim të plotë të pronave që ju prishen nga zgjerimi i segmentit nga Shqiponja te Pallati me Shigjeta ndërkohë që qeveria dhe bashkia ofrojnë vetëm 3 vjet qira.

Banorët i kanë kërkuar kompanisë që kryen punimet që të largojë mjetet e rënda nga zona dhe të ndërpresë punimet.

Ata kanë zhvilluar dhjetëra protesta deri tani, shumicën në zonën e Unazës së Re ndërsa disa herë edhe para Bashkisë, të cilët kanë qenë jo pak të tensionuara.

Situata u tensionua edhe më shumë pasi kryebashkiaku Veliaj i quajti banorët shpellarë, edhe pse një ditë më pas ai e mohoi ta ketë thënë këtë gjë për banorët, por shprehja u është drejtuar deputetëve të Partisë Demokratike që mbështesnin protestën.

Pak ditë më parë Avokatja e Popullit, Ballanca, tha se banorët duhe të sqarohen hollësisht nga institucionet shtetërore ndërsa tha se Bashkia Tiranë është në shkelje të ligjit në projektin te Unaza e Re pasi nuk ka një leje ndërtimi për punët që po kryhen. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *