Gjergj Kastrioti Skënderbeu i mbledh shqiptarët në Vatikan. Sot, një grup prej rreth 200 vetësh, shoqëruar nga kardinali Ernest Simoni, nga autoritete kishtare e civile, u pritën në audiencë nga Papa Françesku, me rastin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, raporton Vatican News.
Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”.
Por Ati i Shenjtë nuk mbeti në kohët e shkuara. I nxiti shqiptarët për “një impenjim të risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.
U foli për “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri – pohoi Papa – kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë, në bashkëpunim e vëllazërim”.
Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.