Partia Demokratike ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në një deklaratë për mediat nga deputeti demokrat, Gjunkshi, tha se “Dosja 339” dëshmon lidhjet e tij me bandën e Avdylajve.
Ndërsa ka theksuar se është kryeministri Rama ai që po pengon hetimet dhe arrestimin e Dakos.
Deklarata e Gjunkshit
Prej gati një muaji, qytetarët janë njohur me denoncimin e Partisë Demokratike se Vangjush Dako është peshku i madh i dosjes 339!
Denoncimi i Partisë Demokratike u provua i vërtetë, kur disa nga përgjimet e dosjes 339 u bënë publike me arrestimin për trafik ndërkombëtar droge të bandës së Avdyljave.
Nëpërmjet dosjes 339 Partia Demokratike u faktoi shqiptarëve se qeveria e Edi Ramës nuk i ka fituar zgjedhjet, por i ka vjedhur, i ka blerë së bashku me bandat për të sunduar shqiptarët.
Vangjush Dako është një nga personat kyç për blerjen kriminale të pushtetit ilegjitim të Edi Ramës.
Shkarkimi i kryebashkiakut të Durrësit duhet të ishte veprimi i parë që duhet të kishte bërë një kryeministër i pakapur nga krimi.
Arrestimi duhet të kishte qenë vendimi i menjëhrshëm një prokurorie të pakapur nga qeveria dhe krimi.
Vangjush Dako meriton të ndëshkohet me burg për blerjen e votave nëpërmjet bandave dhe për shpërblimin me tendera, punë publike dhe favore të tjera për krimin që i siguroi votat.
Në Dosjen 339 ndodhen qindra faqe me përgjime që vertetojnë lidhjet e bandes kriminale të qeverisë me bandën e Avdylajve, në Durrës dhe Shijak .
Biseda e shkurtit 2017 me bandën Avdylaj, me nofkën Niçja, ku i premton favore, e vërteton më së miri përmasën e skandalit Dako.
Nëpërmjet përgjimeve, shqiptarët kanë parë sesi banditët drejtojnë një kryebashkiak dhe caktojnë pushtetin e një kryeministri.
Edi Rama po tenton bllokimin e dosjes 339, sepse me arrestimin e Dakos zbardhet me prova ligjore denoncimi i opozitës dhe konstatimi i vëzhguesve ndërkombëtarë se si zgjedhjet e vitit 2017-s u blenë.
Këto fakte janë një apel, për të gjithë miqtë e Shqipërisë, për qytetarët e ndershëm që kerkojnë dhe dëshirojnë që në këtë vend të ketë liri, te ketë demokraci, që në ketë vend të sundojë ligji dhe jo krimi.