Dje, gjatë ndezjes së dritave tek Pazari i Ri, Kryebashkiaku Veliaj nuk i rezistoi dot sërish aktrimit në rolin e heroit që çon përpara Tiranën, duke luftuar me armiqtë e shumtë dhe të pamëshirshëm që e pengojnë në rrugëtimin e tij heroike.
Duke dashur të godasë “armiqtë e radhës”, protestuesit e zonës së Astirit që ai kërkon t’u shembë padrejtësisht dhe paligjshmërisht shtëpitë, me një çehre heroike dhe triumfaliste, Veliaj u shpreh se tre vjet më parë i njejti reagim nga qytetarët ishte bërë kundër zhvillimit të Pazari i Ri, por tashmë ata që protestuan po shijojnë frytet e punës së Bashkisë.
Për të ilustruar këtë riedukim të qytetarëve, Veliaj tregoi historinë e Ylli Hidrit, “hasmit” siç e quajti ai, njërit prej sipërmarrësve tek Pazari që e kishte kundërshtuar me forcë projektin e rizhvillimit të zonës, por që tashmë ka një prej sipërmarrjeve nga më të suksesshme në Tiranë, dhe kjo e gjitha falë projektit të Bashkisë për rizhvillimin e Pazarit:
“Mbaj mend kur e filluam punën te Pazari i Ri, se Yllit i qesh buza tani, por para një viti e gjysëm sherr që kam bërë unë me Yllin, na duket lule ai te Unaza e Re.
Kështu thoshte dhe Ylli, “këtu do vritemi, mbi trupin tim, këtu do derdhet gjaku, do ta mbroj me armë”. Megjithatë ja ku jemi sot! Me Yllin jo vetëm jemi bërë shokë për kokë, vëllezër, por jemi dhe bashkë-organizatorë të shumë gjërave të bukura që ndodhin këtu.
Për të gjitha ata që si Ylli para një vit e gjysëm, bënin zhurmë dhe rrëmujë, bllokonin çdo investim, ja ku është shembulli: sot Ylli është më mirë, Pazari është më i mirë, Tiranë është më e mirë.
Nesër Astiri do jetë më mirë, Unaza e Re do jetë më mirë, Tirana do jetë më mirë dhe gjithë Shqipëria që do të kalojë aty do të jetë më mirë.
Nëse kemi mësuar një gjë nga e kaluara është kjo: në Tiranë, sa herë që bëhet punë ka gjithmonë një parti që mbjell sherr, por sa herë që tejkalohet sherri dhe mbaron puna, fiton o gjithë qyteti. Fitoi Pazari i Ri, fitoi Bulevardi, Lodrat te Liqeni, të gjitha investimet që kemi bërë të Unaza e Vogël.”
Por kjo rrëfenjë e kryebashkiakut heroik është krejtësisht e transformuar dhe larg të vërtetës. Është e vërtetë se Ylli Hidri ka pasur një dyqan në zonën e Pazarit dhe fillimisht ai ka kundërshtuar prishjen. Por shpejt, ai është kthyer në një klient të rëndësishëm të Erion Veliajt—çfarë shpjegon edhe gjuhën me dashuri që Veliaj ka përdorur në rrëfenjën e tij për Hidrin. Veliaj i ka vënë Hidrit në shërbim bashkinë, policinë bashkiake dhe fondet publike, madje duke dhunuar të drejtën e pronës së të paktën pesë familjeve dhe duke shpërdoruar fonde publike, për të prishur ndërtimet që i prishin perspektivën vilës së blerë nga Hidri.
Si kanë rrjedhur ngjarjet?
Ylli Hidri ka nisur të tregtojë peshk që në fund të viteve 199o-të, por për qytetarët u bë i njohur në vitin 2011, kur qëlloi me armë kandidatin e PD-së për komunën e Dajtit Besim Kuka. Kuka kandidonte përballë socialistit Kujtim Qefalia, vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia, dhe kunat i Ylli Hidrit. Menjëherë pas incidentit me armë, Hidri u largua nga vendngjarja dhe kur u ndalua nga policia, në makinë nuk iu gjet armë, ndaj u la i lirë dhe çështja u mbyll aty.
Kujtim Qefalia ka drejtuar komunën Dajt nga viti 2007 deri në vitin 2015, kur Dajti ju bashkua Tiranës. Gjatë kësaj kohe, Ylli Hidri përfitoi një licensën për linjën e autobuzëve të Tiranë-Dajt.
Po në 2011-ën, pas zgjedhjeve lokale, Hidri hapi restorantin e tij të parë tek zona e Pazarit të Ri. Në një intervistë për Dritare.net, Ylli Hidri shprehet:
“Në 1 dhjetor 2011, hapa restorantin tim të parë. Te ish-markata e vjetër ishte markata e mishit dhe unë në krah. Pasi e diskutuam, vendosa që të lija një emër të thjeshtë, vetëm “Markatë e peshkut.”
Në vitin 2015, Bashkia Tiranë nis projektin për rikonstruksionin e zonës, dhe Ylli tregon se fillimisht ishte kundër:
“Në 2015, kur u prezantua projekti për rikonstruksionin e zonës së Pazarit të Ri, na erdhi urdhër për lirimin e ambienteve. Unë nuk doja ta lija, pasi ishte një investim prej tre vitesh dhe kisha frikën se me ndryshimin e ambientit, do të më lëvizte dhe klientela. Për këtë arsye pata edhe përplasje me policët.”
Po më pas ai tregon se si bleu vilën, që sot është restoranti të cilit Veliaj i referohet si sukses. Për mënyrën se si Ylli e bleu vilën ka dy deklarata:
Njëra në faqen zyrtare të Markatës së Peshkut, ku me një anglishte të çalë, Ylli tregon se “Recently, he told me that a villa in the New Bazaar area is empty and sold.” [gabimet në anglisht të origjinalit], ku lë të nënkuptohet se kryebashkiaku Veliaj e ka njoftuar që një vilë tek Pazari i Ri është bosh dhe në shitje.
Ndërsa në intervistën për Dritare.net, Ylli shprehet:
“Para disa kohësh, më thanë se një vilë në zonën e Pazarit të Ri është bosh dhe shitet. Më pëlqente shumë si vilë, nuk doja të shkëputesha nga Pazari i Ri, prandaj e bleva edhe pse pazari ishte në fillim të ndërtimeve e ishte me rrezik si do të shkonte.”
Vila për të cilën Hidri flet, më parë ka shërbyer si kopësht fëmijësh, por, në fillim të viteve 1990-të, vila iu kthye pronarëve dhe kishte vite që në të nuk kishte asnjë aktivitet. Në vitin 2015, Hidri kërkoi t’ja blejë pronarëve pasi mësoi për projektin e Bashkisë për rizhvillimin e zones, çfarë do të rriste vlerën e pasurive të patundshme përqark.
Por vila rrethohej nga pesë dyqane, pronë e pesë familjeve të tjera, të cilat pengonin fushëpamjen e vilës. Ylli Hidri vendosi t’i prishë këto dyqane. Vetë ai është shprehur:
“Vila ishte e rrethuar me pesë dyqanet e veta. Për ta hapur më tepër ambientin, i kërkova Bashkisë të vinin për t’i shembur.”
Deklarata ngjan absurde pasi Bashkia nuk mund të prishë pronat e të tjerëve, vetëm se pse nuk i pëlqenin Hidrit. Por në të vërtetë Bashkia Tiranë, në shkelje të së drejtës së familjeve pronare, i prishi dyqanet për t’i hapur pamjen Ylli Hidrit.
Në atë kohë, familjet e prekura e denoncuan prishjen e pronave të tyre pa të drejtë. Merita Bollati, Doloreza Qoli, Emanuela Kaimi, Sana Velaj dhe Bajame Koçi pronaret e dyqaneve, treguan për FaxWeb, se ishin kërcënuar nga Ylli Hidri, pasi nuk kishin rënë dakord për t’ja shitur ambientet.
”Më ka kërcënuar me jetë, në mes të pazarit. ‘Do të çaj zorrët’ më tha”, rrëfeu Zonja Qoli, duke shtuar se edhe pse polici qe prezent për të regjistruar ngjarjen, e fshiu nga kamera e tij të gjithë dëshminë.
Pronarët bënë dy kallëzime në polici, por nuk morën asnjë reagim prej tyre. Ata u ankuan edhe pranë Bashkisë Tiranë, por as nga bashkia nuk morën përgjigje, duke treguar edhe njëherë se në krahun e kujt ishte kryebashkiaku Veliaj.
Pas prishjes së dyqaneve përreth, Hidri përfitoi nga Bashkia, me fonde publike, rikonstruksionin e fasadës së vilës, e cila u përfshi në projektin e përgjithshëm të rizhvillimit të zonës.
Në mars 2017, Veliaj inaguroi rikonstruktimin e Pazarit të Ri dhe Ylli Hidri nisi punën në biznesin e tij të ri, tashmë pa dyqane që i prishnin pamjen dhe me një fasadë të bërë me fondet publike.
Dje, Kryebashkiaku e quajti Hidrin “hasëm” dhe tha se “Ylli si sipërmarrës është më mirë, pasi Pazari i Ri është më mirë” dhe kjo e gjitha falë punës së Bashkisë Tiranë. Në të vërtetë, sot Ylli Hidri dhe biznesi i tij janë më mirë vetëm për faktin se Bashkia Tiranë dhe Erion Veliaj u vu nën shërbimin e tij, në shkelje të të drejtave të pronarëve të tjerë dhe duke abuzuar me fondet publike.
Vini re: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Exit.al