Deputetja e Partisë Demokratike, Vokshi, ka reaguar pas statusit të deputetit të Partisë Socialiste, Alket Hyseni, në “Facebook” në atë që Vokshi e cilëson si gjuhë raciste, diskriminuese dhe të papranueshme ndaj personave me aftësi ndryshe.
Ajo shkruan se ndryshimi i statusit nga ana e deputetit duke hequr që aty fjalën autik është i pamjaftueshëm si dhe heshtja e Ramës dhe grave deputete të Partisë Socialiste ndaj kësaj gjuhe është e papranueshme.
“Deputeti i Ramës Alket Hyseni, në një status në rrjetet sociale, ka përdorur një gjuhë raciste, diskriminuese dhe të papranueshme ndaj personave me aftësi ndryshe duke i përdorur ata si standart përcmimi, sharje e urrejtje.
Ndryshimi i mëvonshëm i pandjerë i statusit të deputetit Hyseni, dhe zëvendësimi i fjalës “autik” është krejt i pamjaftueshëm.
Heshtja e Ramës dhe e grave deputete te PS ndaj gjuhës së pushtetit që nxit urrejtje e dhunë, është e papranueshme.
Gjuha e tij raciste duhet të dënohet hapur dhe prerë nga të gjithë ata që cmojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut. Organizmat ndërkombëtare duhet të reagojnë.
Kryetari i Kuvendit të zbatojë menjëherë nenin 6, të Kodit të Etikës, që ndalon deputetin të përdorë një gjuhë të shprehuri, që nxit urrejtjen dhe diskriminimin ndaj personave me aftësi ndryshe.
Kërkoj nga institucionet kundër diskriminimit dhe mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut të reagojnë sipas dispozitave ligjore.” – shkruan Vokshi në “Facebook”.