Rreshjet e shumta të shiut përgjatë gjithë mbasdites së sotme në Gjirokastër, nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë. Pika më e ulët e qytetit aty ku preket me shtratin e lumit Drino, është përmbytur.
Ura e Lumit, u përmbyt si pasojë e furisë së shirave që u grumbulluan në pjesën fundore të qytetit duke bërë të mundur bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të automjeteve dhe rrjedhimisht edhe të aksit nacional Gjirokastër-Kakavije, raporton Jugu News.
Menjëherë forcat e Policisë së Qarkullimit Rrugor, kanë marrë situatën nën kontroll duke menaxhuar lëvizjet në të dy drejtime, veri-jug. Ndërkohë që edhe punonjësit e Agjencisë së Shërbimeve Publike në Bashki, kanë ndërhyrë duke zhbllokuar pusetat e ujërave të bardha të cilat ishin bllokuar si pasojë e depërtimit të inerteve dhe lëndëve të tjera.
Pas 60 minutash, situata u normalizua.
Koha e keqe pritet edhe në vazhdim në Gjirokastër përgjatë 24 orëve të ardhshme.