Vendosni fjalën kyçe....

“Po na prishin shtëpitë, pa dëmshpërblim. Rama dhe Veliaj po shkelin Kushtetutën”


Ka një proces ligjor mbi mënyrën se si pronat, ku përfshihet jo vetëm toka por edhe banesat dhe ndërtesat, shemben për hir të një interesi publik.

Banorët e Astirit kanë hyrë në ditën e 19-të të protestave të tyre, kundër shembjes së banesave pa marrë dëmshpërblimin e plotë. Banorëve të Bregut të Lumit në Tiranë po ashtu u erdhi njoftimi se banesat e tyre do të shemben. E njëjta gjë po ndodh edhe në disa fshatra të Fushë-Krujës, për shkak të autostradës Thumanë-Kashar, që po ndërtohet.

Prej disa ditësh në redaksinë e “Hashtag.al” kanë mbërritur denoncime nga banorët e Fushë-Krujës se autoritetet po shkelin ligjin, duke nisur punimet pa kryer një proces të rregullt ligjor dhe pa u dërguar atyre asnjë dokument mbi formën e dëmshpërblimit.

“Njerëzit kanë mbjellë tokat, pasi nuk janë lajmëruar zyrtarisht se kur do nisnin punimet në zonën e tyre, duke i çuar dëm gjithë investimin. Nga ana tjetër shumë banorëve këtu do t’u shemben shtëpitë dhe ata as nuk e kanë idenë fare se sa kohë kanë për të lëvizur diku tjetër dhe janë të pasigurt për dëmshpërblimet. Lajmërimi është e para detyrë dhe më minimalja që shteti duhet të kishte bërë”, shkruante para pak ditësh një banor i fshatit Bilaj të Fushë-Krujës.

Sot i njëjti person shkruan sërish: “Na ndihmoni dhe denoncojeni sërish këtë rast. Edhe pse e kemi denoncuar situatën prej disa ditësh dhe ne po u kërkojmë informacion, ata s’na japin. Qeveria po shkel ligjin. Po shkel Kushtetutën. Asnjë dokument nuk ka kanë sjellë. 

Por çfarë parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në këtë rast?

Në nenin 41 të Kushtetutës, ku garantohet e drejta e pronës private, thuhet që “Ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë.”, mirëpo nga ana tjetër po ashtu në pikën 4 të këtij neni citohet që “Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.”.

Kjo nënkupton që përpara se të nisë shembja e banesave dhe të bëhet shpronësimi i tokës, fillimisht pronarët duhet të dëmshpërblehen dhe ky dëmshpërblim duhet të jetë i drejtë.

Mirëpo çfarë ndodh sot? Pronarët e këtyre banesave as nuk e dinë fare se cili është dëmshpërblimi  që do të marrin. Dhe ky nuk është rasti i vetëm.

Paralelisht, e njëjta gjë po ndodh edhe me banorët e Bregut të Lumit në Tiranë, edhe me ata në Fushë-Krujë për ndërtimin e autostradës Tiranë-Kashar.

Në Kushtetutë po ashtu thuhet që “Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor”. Mirëpo qeveria jonë kërkon të shembë banesat e qytetarëve, ndërkohë që nuk po kryen një proces të bazuar në ligj.

Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj po përdorin një skemë të qartë në prishjen dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve ditën për diell dhe pa asnjë dokument zyrtar.

Rasti 1

Rasti i parë ka të bëjë me Unazën e Re, banorët e së cilës janë në ditën e 19-të të protestës dhe qëndresës kundër prishjes së banesave të tyre për zgjerimin e rrugës.

Siç janë shprehur ata në çdo deklaratë mediatike, për prishjen e banesave nuk kanë asnjë dokument zyrtar nga asnjë prej institucioneve, por thjesht u është thënë të dalin nga shtëpitë e tyre se ato do prishen dhe banesave u është vënë nga një kryq.

Vetëm 15 ditë kohë iu la këtyre banorëve që të gjenin një çati ku të vendosin kokën, ose të mbeten në qiell të hapur. Dakord, u është premtuar 3 vite qira, por për këta banorë 3 vite qira nuk është asnjë në krahasim me atë çfarë do humbasin për gjithë jetën.

Në këtë projekt prishen më shumë se 300 objekte dhe banorët nuk kanë asnjë shkresë zyrtare për prishjen e banesave dhe as për dëmshpërblimin, në shkelje flagrante të Kushtetutës.

“Nuk ka asnjë fije transparencë, as nga qeveria as bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Edhe avokatja e popullit e nxorri blof qeverinë në shumë pika,” thoshte një nga banorët para kamerave, pak ditë më parë.

Rasti 2

Rasti i dytë është në zonën e Fushë-Krujës, në punimet që po kryhen në autostradën Thumanë-Kashar. Shumë prej banorëve që preken nga ky projekt nuk e dinë fare se çfarë do ndodhë me pronën e tyre. Që prej një jave punimet kanë vazhduar në fshatin Bilaj të Fushë-Krujës, ku banorët janë irrituar nga kjo gjë.

Kjo për shkak se asnjë përfaqësues i shtetit nuk i kishte lajmëruar për afatin se kur do nisnin punimet, e aq më pak për dëmshpërblimet, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të të drejtave të këtyre banorëve, pronarë të tokave dhe ndërtesave që parashikohet të dëmtohen nga ky projekt.

Ata paralajmërojnë të ngrihen në protesta, ndërsa kërkojnë të bëhet vlerësimi sipas ligjit i pronave të tyre dhe të bëhet dëmshpërblimi, si dhe t’u lihet një afat për t’u larguar nga banesat. Njoftimi atyre u është bërë nga drejtori i kompanisë që kryen punimet, ndërsa nuk kanë asnjë njoftim zyrtar lidhur me këtë çështje. E theksojmë: Asnjë njoftim zyrtar!

Rasti 3

Rasti i tretë dhe më i freskëti ka të bëjë me banorët e Bregut të Lumit, të cilët preken nga Bulevardi i Ri i Tiranës.

Dy ditë më parë, një inxhinier i kompanisë ka vajtur në lokalin e lagjes dhe ka njoftuar listën e banorëve që ju prishet banesa. Bëhet fjalë për më shumë se 40 banesa në zonë, që preken nga ndërtimi i fazës së fundit të “Bulevardit të Ri”.

Ndërkohë që banorët e 3 fazave ku është ndërtuar deri tani Bulevardi janë dëmshpërblyer, për banorët e fazës së fundit nuk ka ende asnjë njoftim sesi do trajtohen.

“Tre segmente të Bulevardit që është përfunduar, banorët janë dëmshpërblyer. Ndërsa ne banorët e segmentit të fundit nuk po dëmshpërblehemi. A jemi të gjithë pjesë e zgjatimit të Bulevardit?!“, thotë një banor për “Hashtag.al”. Sipas tij, “Rama dhe Veliaj po u shkelin të drejtat, të mbrojtura me Kushtetutë”.

Këta banorë vetëm janë lajmëruar nga inxhinieri i kompanisë që brenda 10 ditësh të lirojnë banesat ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh dhe për të cilat kanë qenë në proces legalizimi.

Kështu, në të treja këto raste, qeveria pa i pajisur qytetarët me dokumente zyrtare dhe pa njoftime, nis prishjen dhe grabitjen e pronës së qytetarëve në ditën për diell./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *