Në kontinentin e vjetër nuk do të ketë “Superligë Evropiane”. Ata që e pohuan këtë me siguri ishin presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, si dhe ai i Shoqatës së Klubeve europiane, Andrea Agnelli, në një intervistë të tyre për BBC-në.
Së fundmi, revizta gjermane “Der Spiegel” kishte publikuar një artikull për planet e klubeve më të rëndësishme në Europë për krijimin e Superligës duke nisur nga viti 2021, gjë që gjeti përgënjeshtrimin e menjëhershëm.
“Superligë nuk do të krijohet. Është thjesht një histori e sajuar, ose një ëndërr”, ishte deklarata e Ceferin, që gjeti edhe mbështetjen e Agnellit, i cili drejton një institucion që përfaqëson 200 klube europiane.
“Mund të konfirmoj se ne, asnjëherë nuk e kemi diskutuar. Nuk kemi qenë të përfshirë në përpilimin e këtij dokumenti për Superligën”, tha Agnelli, që është njëkohësisht edhe presidenti i Juventusit. “Jemi bashkë me UEFA-n për të përmirësuar edhe më shumë futbollin në të ardhmen”.
Ceferin, që në muajin shkurt pritet të rizgjidhet në krye të UEFA-s, dhe Agnelli thanë gjithashtu se po bisedohet për mënyrën sesi mund të ndryshohet formati i kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube, Champions League.
Sipas tyre, e gjithë kjo do të bëhet për përfitime më të mëdha nga kontratat për të drejtat televizive. Presidenti Ceferin theksoi gjithashtu se një kompeticion i tretë europian, me pjesëmarrjen e 32 skuadrave, është një opsion që pëlqehet nga klubet e kontinentit të vjetër.
Nëse kjo do të ndodhë, atëherë për futbollin europian do të ketë një lloj rikthimi në modelin e mëparshëm. Dikur, si kompeticion i rëndësishëm, përveç Championsit dhe UEFA Cup, ekzistonte edhe Kupa e Kupave. Propozimi për krijimin e kompeticionit të tretë kontinental do të votohet në mbledhjen e radhës, që UEFA do ta mbajë në Dublin në fillim të muajit dhjetor.