Vendosni fjalën kyçe....

“Mos u tundni nga vendi se s’kanë ç’ju bëjnë”, këshilla e Neritan Liçajt për banorët e Astirit dhe paralajmërimi për Ramën (VIDEO)


Në protestën e djeshme të banorëve të Astirit, iu bashkuan edhe artistët që për muaj me radhë i kanë bërë qëndresë qeverisë Rama në planet për të shembur Teatrin Kombëtar.

Gjatë fjalës së tij, aktori Neritan Liçaj, dha këshillën e tij për banorët e Astirit, duke i thënë që të mos lëkunden në qëndresën e tyre por të vazhdojnë derisa të arrijnë në plotësimin e kërkesave të tyre. Po ashtu paralajmëroi edhe kryeministrin Rama, se shqiptarët do i mblidhen përpara Kryeministrisë për ta larguar nga pushteti.

“Keni gjithë konsideratën dhe mirënjohjen time për qëndresën tuaj qytetare. Bravo ju qoftë!

Mos u tundni nga vendi se nuk kanë ç’ju bëjnë fare. Unë e kam thënë shpesh herë publikisht dhe po e them edhe këtu përpara jush.

Kemi të bëjmë me një pushtet anti-kombëtar, anti-qytetar. Këta e urrejnë qytetarin. Këta e urrejnë çdonjërin prej nesh. Kemi të bëjmë edhe me një pushtet tjetër të dehur me miliardat, që do edhe ca miliarda të tjera më tepër. Jo, boll. T’i bëjnë miliardat ndershmërisht, jo në kurriz të qytetarëve.

Prandaj këshilla ime miqësore dhe shumë përulësisht ua kërkoj: Qëndroni dhe mos u tundi nga vendi, sepse sa të ketë shqiptarë, gra të forta shqiptare dhe burra të fortë shqiptarë, asgjë nuk kanë çfarë të bëjnë. Mos lëvizni nga vendi se kanë frikë ata. Të jeni të bindur që nga qytetari, kanë frikë të gjithë diktatorët. Dhe Rama është një diktator në tentativë i shkreti se nuk ka takat të jetë diktator, por shumë shpejt do hajë kokën siç po e ha.

Të mos harrojë pushteti, se do i mblidhemi atje të gjithë shqiptarët se na ka ardhur në majë të hundës. Do i mblidhemi atje tek Kryeministria. Unë ia kam thënë e do ia them prap.  Do bërtasë si Rikardi i tretë ‘një kalë, një kalë, jap kolltukun për një kalë’. Por do jetë vonë për ta. Prandaj po ia them edhe njëherë ‘Mblidh mendjen se s’e ke mirë kështu.’.

Super e korruptuar. Prandaj qytetarë, qëndroni, qëndroni, qëndroni! Asgjë nuk kanë për t’ju bërë. Më të fortë se qytetari ky vend nuk ka parë e s’ka për të parë ndonjëherë. E kanë ditën e shkurtër, më dëgjoni mua, janë fjalët e aktorit Liçaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *