Kryeministri Rama e ka dënuar bllokimin e rrugës nga ana e banorëve të Unazës së Re dhe ka kërkuar lirimin e saj gjë që sipas tij i hap rrugën zhvillimit të qytetit.
Ai e ka quajtur bllokimin e rrugës “shprehjen më spektakolare të degradimit total të të menduarit shoqëror e politik të vendit”
Rama theksoi se nuk do ketë asnjë legalizim të banesave dhe pronave që janë zaptuar në mënyrë të paligjshme ndërsa tha se këto raste janë të përcaktuara në ligj.
Ndërsa u kërkoi banorëve që të mos bëhen mish për top i opozitës së degraduar të vendit.
“Pa asnjë gajle bllokojnë qarkullimin dhe natyrisht janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të këtij vendi. Por që të kesh aplikuar për legalizim, s’do të thotë se je legalizuar. Nëse shtëpia jote bie mbi shtratin e lumit, mbi tubacionet e ujësjellësit, kanalizimit, mbi linjat elektrike dhe kështu me radhë. Janë qartësisht të përcaktuara në ligj. Një godinë nuk mund të kthehet në pronë të ligjshme kur cënohet prona e ligjshme e përbashkët. Ka një abuzim të madh me këtë koncept. Nuk është e njëjta gjë që të kesh ndërtuar një shtëpi për të futur kokën në një territor ku s’je bërë pengesë dhe të ndërtosh 5, 6, 7, 8 kate për biznes në shtratin e rrugës dhe të pretendosh pas 15 vitesh dëmshpërblim, 100%. Po për çfarë? Kundrejt të drejtës morale të atyre që jo vetëm që s’kanë zaptuar, por kanë respektuar dhe kanë paguar taksat. Duhet të marrim para nga buxheti për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë? Thirrja ime është që ata njerëz të largohen nga rruga për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe mos të turpërojnë dhe të bëhen gazi i botës dhe mish për top të atyre që s’u ka ngelur asgjë në shpirt dhe u ka ngelur një flamur i grisur dhe bëjnë opozitës”. – tha Rama