Pas sqarimit të bërë nga kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro, mbi kostot e segmentit të rrugës ku prishen qindra banesa, nga Sheshi Shqiponja te Pallati me Shigjeta, ka ardhur reagimi i kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Qendro tha në fjalën e tij se kostot e rrugës ishin të larta për shkak të kategorisë së lartë së cilës i përkiste, numrit të madh të mbikalimeve dhe nënkalimeve si dhe për faktin se do operohej në zonë urbane, ku kostot janë më të larta.
Në deklaratën e tij nga selia e LSI-së, Vasili tha se në projektin te Unaza e Re bëhet fjalë për një megavjedhje, ndërsa tha se Rama duhet t’u kërkonte ndjesë qytetarëve për mashtrimin e vërë.
Vasili solli disa raste krahasimi duke përmendur, aksin Fier-Vlorë, Bypass-in e Rrogozhinës, aksin Levan-Tepelenë, Bypassin e Vlorës dhe atë të Fierit, të cilët janë shumë herë më lirë sesa segmenti Shqiponja-Pallati me Shigjeta.
“Qytetarët shqiptarë dinë dhe njohin shumë mirë aksin Fier-Vlorë, një rrugë tërësisht e re me 4 korsi. Një rrugë që kanë kaluar të gjithë dhe e njohin çfarë niveli dhe standardi ka. Sa ka kushtuar të nderuar qytetarë?
Janë 24 km rrugë me një financim prej 50 milionë euro, i cili pas tenderimit ishte dhe më i ulët se kaq. Me fonde të Bashkimit Europian, me garë të hapur ndërkombëtare, pra do të thotë më pas se 2 milionë euro, rrugë e re me 4 korsi, që lidhi Fierin dhe Vlorën.
Ndërkohë që rruga në Unazën e Re bën 19 milionë euro. Të gjithë qytetarët kanë kaluar shumë herë në Bypass-in e Rrogozhinës, që lidh Rrogozhinën me rrugën për të shkuar drejt Elbasanit, një pikë nyjë shumë e rëndësishme. Dhe sa ka kushtuar?
Prapë do ja lëmë qytetarëve ta gjykojnë. Janë shpenzuar 5,7 milionë euro për 4,3 km rrugë, me dy korsi, me gjerësi totale 10,5, me rreth rrotullime, me ura. Pra as 1,5 milionë euro kushton kjo rrugë, tërësisht e re dhe nyje shumë e rëndësishme.
Ndërkohë që të Unaza e Re bën përsëri 19 milionë euro, 7-8 herë më shumë. Kemi akse të tjera. Aksi Levan-Tepelenë, një aks i cili lidh portën e daljes së jugut. Mesatarja për kilometër, në një zonë shkëmbore shumë të rëndë, me vepra dhe ura, që të gjithë e kanë parë se çfarë terreni, mesatarja 1,7 milionë, kurse tek Unaza e Re 19 milionë.
Sa ishin kostot e Bypass-it të Fierit? Ju shpjegova dje edhe sa ishin kostot e Bypass-it të Vlorës. Të gjitha të hapura në gara kombëtare që prodhuan çmime 7 herë më të ulëta. Pra, thënë më thjesht kjo rruga e cila do të kushtonte jo më shumë se 5 apo 6 milionë euro, kushton plot 40 milionë euro.
Mbi 30 e ca milionë euro të grabitura, të cilat Kryeministri së pari duhet të përgjigjet përpara drejtësisë, do përgjigjet bashkë me aradhen e njerëzve të tij, të cilët organizuan këtë mega vjedhje. Këto dhjetëra milionë, të cilat i kanë përvetësuar ditën për diell edhe u kërkon qytetarëve të dalin në shi, sepse paratë që grabisin nuk mund të preken, duhet të jenë atje, ndërkohë që 30 e ca milionë euro, e kupton besoj edhe qytetari i fundit.
Ju shpjegova akset rrugore nacionale të mëdha, rrugë të reja me nga 4 korsi, të cilat kanë kushtuar as 2 milionë euro kilometri, kurse kjo kushton 19 milionë, një hapje dhe plotësimi i një rruge, i një korsie mu në mes të qytetit të Tiranës.
Është fare e qartë që e gjithë kjo ka ndodhur në një procedurë tenderimi nga më korruptimet që mund të ketë parë historia e këtij vendi. Po ua rikujtoj edhe njëherë qytetarëve shqiptarë. Kjo rrugë është tenderuar në 3 copa, nga 700 apo 800 metra copa dhe konkurruesit kanë qenë firma të paracaktuar dhe 3 herë ka konkurruar një firmë që ka bërë një ofertë 0 lekë.
S’besoj se ka qytetarë, votues i opozitës apo votues i Partisë Socialiste që të mos shqetësohet, preokupohet e mos t`i vijë ankthi i jashtëzakonshëm që po vidhet në këtë mënyrë, pasi ka konkurruar tre kompani për 3 tenderë të ndryshëm dhe ai bashkë konkurruesi tjetër ka qenë me 0 lekë. Vëllezërit Hysa konkurrojnë 3 herë me 0 lekë.
Kjo është gara. Është e qartë për të gjithë. 19 milionë euro, konkurron një kundërshtarë me 0 lekë, i jepet dhuratë këtij dhe 30 e ca milionë euro vidhen. Të nderuar qytetarë, një mega vjedhje kaq e qartë është në sytë tuaj dhe gjithçka që llamarin, që bën zhurmë në zyrat e Kryeministrisë, nuk ka lidhje me moralin e njerëzve, degradimin, rrugën por ka lidhje me zhurmën për të fshehur vjedhjen e madhe, e cila është në sytë tuaj por që nuk mund të fshihet.
Kësaj mega vjedhjeje do t`i shkohet deri në fund . Është sot, pas një jave, pas dy jave, është pas një muaji, kjo edhe fajtorët do shkojnë para drejtësisë. Nuk mund ta fali asnjë qytetarë, e them edhe njëherë se s`k asnjë rëndësi për kë voton. Jam i bindur që kundra një vjedhjeje të tillë, qytetarët shqiptarë janë të gjithë bashkë.
Qytetarët që e kanë votuar këtë mazhorancë, nuk e kanë votuar që të vjedhë, që nga një rrugë që nuk bën më shumë se 2 milionë, ta paguajë 19 milionë me gjakun dhe djersën e tyre dhe me një sëpatë që u rri mbi kokë për dhjetëra vjet.
Ndaj, kjo është e vërteta e kësaj rruge, e cila zbuloi, nxori në pah, ku ishte vetëm maja e ajsbergut, por tanimë i gjithë ajsbergu është përpara jush. E shikoni, është shumë e qartë dhe përpara kësaj ka vetëm një qëndrim: qëndrim të papajtueshëm, rezistencë deri në fund pasi këtu bëhet fjalë për të mbrojtur paratë e qytetarëve, gjakun dhe djersën e tyre pasi alternativat që u shton qeveria janë:
Ne këndojmë këngën të vjedhim e të grabisim çdo gjë, ndërsa ju dilni në rrugë, dilni mes shiut, burra, gra, fëmijë, ribëni nga e para shtëpitë tuaja, zhytuni në mjerim që ne paratë që do grabisim, mos të na preket asnjë cent.
Tender korruptim, kosto çnjerëzore dhe një vjedhje çnjerëzore janë sytë e çdo qytetari. Këto nuk janë as më shumë e as më pak, s`janë aspak pretendimi i opozitës, janë fakte të ftohta, të thjeshta që janë përpara syve tuaj.
Ju ftoj që të gjithë të reflektoni e të mendoni shumë sepse ky është momenti i reflektimit të madh. Përpara hajdutërive të tilla, të gjithë duhet të jemi të papajtueshëm pavarësisht bindjeve politike që ne kemi.” – tha Vasili.