Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Astirit dhe të Bregut të Lumit sot para Parlamentit: Policia mos të provokojë


Ndërsa ditën e sotme në Kuvend, Sandër Lleshi, pritet të miratohet tashmë jo më si zësvendësministër por si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, banorët e Astirit do të jenë duke protestuar jashtë.

Që prej datës 3 nëntor, banorët e Astirit kanë protestuar kundër shembjes së banesave të tyre, për shkak të projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe.

Ndërkohë që protestat i kanë zhvilluar përgjithësisht në zonën e tyre ose përballë godinës së Bashkisë së Tiranës, sot do t’i zhvendosin përballë Parlamentit dhe do të nisin në të njëjtin orar, në 10:00.

Protesta e banorëve të Astirit mbështetet edhe nga opozita e bashkuar.

Deputeti demokrat Klevis Balliu, ka paralajmëruar policinë që të mos bëjë provokime por të solidarizohet me protestuesit.

“Do t’i bëja një thirrje paraprake policisë së shtetit të mos bëjë asnjë provokim ndaj këtyre qytetarëve, madje do ti ftoja që nesër të hidhnin kapelet poshtë se ka ardhur koha që të mbrojmë tullat që kanë ngritur qytetarët shqiptarë dhe boll u mbrojtën tullat e disa oligarkëve të korruptuar, të cilët sot po zaptojnë të gjithë tokat e këtyre banorëve.”, janë fjalët që përdori dje Balliu.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe banorët e Bregut të Lumit, që preken nga projekti i “Bulevardit të Ri” dhe  ka një pjesëmarrje të lartë në protestë. 

Këta të fundit preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit.

ALUIZNI, Bashkia dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse për prishjen e banesave në kuadër të zgjatimit të Bulevardit, kanë deklaruar se nuk do dëmshpërblejnë asnjë familje nga prishja e banesës ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh, duke paguar taksa dhe duke qenë në rregull me të gjitha detyrimet e pretenduar nga shteti ndaj tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *