Vendosni fjalën kyçe....

Kambanë alarmi për Ramën? Sot dy protesta paralel


Jo një, por dy protesta do të zhvillohen sot në kryeqytet. Banorët e Astirit dhe të Bregut të Lumit të cilëve do u shemben shtëpitë për shkak të dy projekteve të ndryshme, do të mblidhen sot përpara Kuvendit, ndërkohë që kemi edhe të rinjtë, studentët e universiteteve publike në vend që do të protestojnë për uljen e tarifave të detyrueshme dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Protesta për mbrojtjen e shtëpive

Që prej datës 3 nëntor, banorët e Astirit kanë protestuar kundër shembjes së banesave të tyre, për shkak të projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe.

Ndërkohë që protestat i kanë zhvilluar përgjithësisht në zonën e tyre ose përballë godinës së Bashkisë së Tiranës, sot do t’i zhvendosin përballë Parlamentit, në 10:00, në të njëjtin orar kur do të nisë seanca plenare, ku pritet të bëhet emërimi i Sandër Lleshit si ministëri i Brendshëm.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe banorët e Bregut të Lumit, që preken nga projekti i “Bulevardit të Ri” dhe  ka një pjesëmarrje të lartë në protestë. 

Këta të fundit preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit.

ALUIZNI, Bashkia dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse për prishjen e banesave në kuadër të zgjatimit të Bulevardit, kanë deklaruar se nuk do dëmshpërblejnë asnjë familje nga prishja e banesës ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh, duke paguar taksa dhe duke qenë në rregull me të gjitha detyrimet e pretenduar nga shteti ndaj tyre.

Protesta e studentëve

Nën sloganin “Ulni tarifat, rritni buxhetin”, studentët e universiteteve publike do të marshojnë sot drejt Kryeministrisë, në vazhdim të aksioneve të herëpashershme që kanë ndërmarrë lidhur me këtë kauzë.

“Studentët ndihen të zhvatur kudo dhe çdo ditë. Zhvaten përmes tarifave nga më të lartat në Evropë, të cilat priten të rriten edhe më kur qeveria të nisë shpërndarjen e parave publike drejt universiteteve private.

Zhvaten nga çmimet abuzive të librave, nga kostot e larta të jetesës dhe ëndrra për t’u punësuar profesionalisht pas studimeve”,-thonë studentët.

Gjatë kësaj jave, lëvizja për Universitetin ka publikuar një sërë videosh në rrjetet sociale, ku i fton të gjithë të rinjë t’i bashkohen kësaj kauze.

Protesta do të nisë në orën 10:30 dhe do të zhvillohet paralelisht me protestën e banorëve të Astirit dhe të Bregut të Lumit. Njëra palë para Parlamentit e tjetra para Kryeministrisë, dy prej institucioneve më të rëndësishme në vend.

Nuk ndodh shpesh në vendin tonë, që dy protesta të ndryshme të zhvillohen në të njëjtën kohë. Të jetë kjo një kambanë alarmi për qeverinë Rama?/Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *