Vendosni fjalën kyçe....

Kush është efektivja e “Shqiponjave” që humbi gishtat gjatë protestës (Video)


Nga përplasja e dhunshme mes banorëve dhe policisë para Kuvendit, mbetën të plagosur 12 efektivë policie dhe 13 protestues.

Fillimisht u raportua në mediat proqeveritare se policja humbi 4 gishta, por më pas u zbulua se ky ishte një informacion i ekzagjeruar dhe i rremë. Bëhet fjalë për 24-vjeçaren, Ina Muka e cila ka humbur 3 gishta, kurse një tjetër efektiv ka humbur dëgjimin nga njëri vesh.

Protesta e sotme para Kuvendit u shoqërua me përplasje të forta mes banorëve dhe efektivëve. Ajo nisi e qetë por shpërthimi i disa shashkave dhe tymueseve bëri që situata të përshkallëzohet.

Sipas policisë, shashkat dhe tymueset u hodhën nga protestuesit, ndërsa këta të fundit mohojnë ta kenë bërë këtë gjë duke akuzuar persona që mund të jenë infiltruar brenda protestës për të nxitur përplasjen.

Ndërkaq policia ka arrestuar disa nga protestuesit, të cilët i akuzon për plagosje të rëndë me dashje dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Policia e Tiranës pas përshkallëzimit të protestës përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, protestë e cila u përshkallëzua në akte dhune ku për pasojë u plagosën 12 punonjës policie, mes tyre dy në gjendje më të rëndë, si dhe u lënduan lehtë 3 protestues, informon se:

Shërbimet e Policisë Tiranë kanë shoqëruar 11 shtetas.

Nga tërësia e veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për hetimin e krimit, nën drejtimin e Prokurorisë u bë arrestimi në flagrancë i tyre dhe konkretisht:

– Alban Ahmetcenaj, 36 vjeç;

– P. A., 17 vjeç;

– Fluturim Goleci, 30 vjeç;

– Rruzhdi Daci, 53 vjeç;

– Marsel Villari, 28 vjeç;

– Erjona Dozhani, 30 vjeç;

– Lulzim Dozhani, 45 vjeç;

– Dorjan Protoduari, 30 vjeç (i shpallur më parë në kërkim nga Kom. Pol. nr.6, për veprën penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”);

– Ali Nalic, 35 vjeç;

– Amarildo Sinanaj, 30 vjeç;

– Shpati Bilbili, 31 vjeç.

Arrestimi i tyre u bë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”,  “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.

Njëkohësisht vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë, të cilët gjatë protestës kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, si dhe kanë nxitur protestuesit për veprime të dhunshme.

Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësueve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.

Policia e Shtetit është e vendosur për të mos toleruar akte të tilla dhune ndaj punonjësve të Policisë si dhe për të mos lejuar më bllokimin e rrugës, duke penguar qarkullimin e lirë të qyetarëve dhe të automjeteve.” – thuhet në njoftimin e policisë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *