Protesta e ditës së sotme para Kuvendit, e banorëve të Unazës së Re, por edhe ata të Bulevardit të Ri, është shoqëruar me përplasje të forta mes banorëve që u prishen shtëpitë dhe efektivëve të policisë.
Deputetet e Lëvizjes Socialiste Për Integrim ishin të pranishëm në protestë dhe mbështetën banorët. Deputetet Gjosha, Mehmetaj, Malaj e Kërpaçi si dhe deputetët Braimllari e Tusha, të pranishëm në vendngjarje, shfaqen në një video teksa u heqin nga duart policëve disa prej protestuesve të cilët po shoqëroheshin me dhunë nga efektivët e policisë.
Dy ditë më parë, kryetarja e Lëvisjes Socialiste për Integrim, Kryemadhi, zhvilloi një takim me banorët e Unazës së Re, të cilëve u shprehu mbështetjen e plotë.
“Mos guxoni të afroheni tek shtëpitë e qytetarëve.” – ishte thirrja që Kryemadhi bëri ndaj kryeministri Rama dhe qeverisë së tij.
Gjatë gjithë ditëve të protestës te Unaza e Re, deputetët e LSI-së, kanë qenë të pranishëm duke mbështetur fuqimisht protestën e banorëve të cilëve do u prishet shtëpia.
Ndërsa disa ditë më parë, Kryemadhi, në një vizitë te protestuesit e cilësoi projektin e Ramës për zgjerimin e rrugës ku prishen qindra banesa, si akt të pastër korruptiv në shërbim të tij dhe oligarkëve me të cilët qeveris. /Hashtag.al