Në Kuvend ka nisur seanca e sotme plenare, ku fjalën e ka marrë menjëherë kryeministri Edi Rama. Që në nisje të fjalës së tij, Rama nuk ka lënë pa sulmuar protestuesit që ndodhen jashtë godinës së Parlamentit.
Sipas Ramës, është opozita që po e udhëheq protestën, duke e konsideruar atë si protestën më të turpshme ndonjëherë.
“Opozita po udhëheq protestën më të turpshme që kemi parë ndonjëherë, në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme kundër interesit publik.”, deklaroi Rama.
Më tej kryeministri i quajti ata “zaptues profesionistë”.
“Zaptues profesionistë, janë shfaqur si një kategori e re e pamjohur. Rezulton se e kanë kthyer në biznes ndërtimtërinë pa leje. Edhe e duan dëmshpërblimin 100% edhe pse kanë dy godina të tjera pa leje në njësinë nr. 7, ka një godinë tjetër në Kashar e i është legalizuar edhe ai dhe ka një tjetër në proces legalizimi.”, tha Rama.
Mirëpo kur nisi protesta e banorëve të Astirit, nuk ka patur asnjë përfaqësues të opozitës në ditët e para. Deputetë të PD-së dhe të LSI-së, iu bashkuan protestës nga dita në ditë.
Edhe Monika Kryemadhi, vonesën e saj për t’ju bashkuar fizikisht protestës e justifikoi me faktin që nuk donte që protesta të konsiderohej politike, por duke qenë se protestuesit vetë kërkuan mbështetje, nga secili deputet, edhe nga ata të pozitës, atëhere edhe ajo u bashkua.
Që nga dita e djeshme, në protestë janë bashkuar edhe banorët e Bregut të Lumit, të cilëve do t’u shemben banesat për shkak të zgjatimit të Bulevardit të Ri, duke ndryshuar përmasat e kësaj proteste.