Vendosni fjalën kyçe....

Rama sulmon banorët e Astirit: Zaptues të trojeve (VIDEO)


Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot banorët e Astirit të cilët që prej 3 nëntorit janë në protestë kundër shembjes së banesave të tyre.

Rama ka publikuar videon e një kronike të televizionit “Top Channel”, ku sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, disa prej këtyre banorëve kanë objekte të jashtëligjshme në Tiranë ose në qytete të tjera të vendit.

“MIRËMËNGJES

dhe me këtë pasqyrë sqaruese të situatës ligjore në Unazën e Re, ku ndër ata që e quajnë veten në “proces legalizimi”, janë shfaqur edhe një kategori e panjohur më parë e zaptuesve profesionistë të trojeve publike a private, ju siguroj se s’ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat tuaja dhe ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama. Në videon e publikuar banorët përmenden me emra.

Rama mesa duket s’e ka ndërmend të kthejë një përgjigje mbi videon që po qarkullon në rrjet, kur në vitin 2013, në fushatën që e solli në pushtet, u premtonte banorëve të njësisë Nr.6 legalizim falas.

Që prej datës 3 nëntor, banorët e Astirit kanë protestuar kundër shembjes së banesave të tyre, për shkak të projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe.

Ndërkohë që protestat i kanë zhvilluar përgjithësisht në sonën e tyre ose përballë godinës së Bashkisë së Tiranës, sot do t’i zhvendosin përballë Parlamentit dhe do të nisin në të njëjtin orar, në 10:00.

Sot në Kuvend, Sandër Lleshi, pritet të miratohet tashmë jo më si zësvendësministër por si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, dhe ndërkohë banorët e Astirit do të jenë duke protestuar jashtë.

Protesta e banorëve të Astirit mbështet edhe nga opozita e bashkuar.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe banorët e Bregut të Lumit, që preken nga projekti i “Bulevardit të Ri” dhe  ka një pjesëmarrje të lartë në protestë. 

Këta të fundit preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit.

ALUIZNI, Bashkia dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse për prishjen e banesave në kuadër të zgjatimit të Bulevardit, kanë deklaruar se nuk do dëmshpërblejnë asnjë familje nga prishja e banesës ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh, duke paguar taksa dhe duke qenë në rregull me të gjitha detyrimet e pretenduar nga shteti ndaj tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *