Ish-shefi i shërbimit të sigurimit në Maqedoni, Sasho Mijalkov u arrestua pas informatave se ai po përgatitej për t’u arratisur.
Dhe sikurse raportojnë mediat maqedonase, në hotelin ku u arrestua Mijalkov, është gjetur një makinë me targa diplomatike, në pronësi të Ambasadës hungareze në Beograd.
Makina gjendej në garazhet nëntokësore të hotelit në kohën kur anëtarët e policisë Alfa të urdhëruar nga Gjykata Penale po arrestonin ish-kreun e DSK-së, Sasho Mijallkov, shkruan Libertas.
Nuk dihet ende nëse kjo është thjesht një rastësi, apo makina ndodhej aty për të mundësuar arratisjen e Mijalkov.
Kujtojmë se ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kushëri me Mijalkovin, u largua nga Maqedonia me ndihmën e veturës diplomatike hungareze, duke kaluar nga Shqipëria drejt Malit të Zi duke vazhduar drejtë Serbisë për të përfunduar në Hungari.
Mijalkovit i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh dhe është dërguar në burgun e Shuto Orizares në Shkup.