Policia e Tiranës ka arrestuar 18-vjeçarin Daniel Drobaj i cili akuzohet se është autori i plagosjes së efektives Ina Nuku, në protestën para Kuvendit.
Ina Nuka, si pasojë e një kapsolli humbi një nga gishtat e dorës së djathtë si dhe u lëndua në pjesën e fytyrës.
Mbi të riun rëndojnë 4 veprat penale: “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Në njoftimin e policisë thuhet:
“Kapet autori i dyshuar i plagosjes së efektives së “Shqiponajve”
Shërbimet e Policisë Tiranë identifikojnë dhe kapin në kohë rekord autorin e plagosjes së efektives së Policisë, shtetases Ina Nuka.
Nga shërbimet e Policisë Tiranë falë një pune të mirë organizuar hetimore u bë identifikimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të plagosjes, shtetasi Daniel Drobaj, 18 vjeç, banues në Tiranë.
Në ngarkim të këtij shtetasi do të referohen materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës”.”