Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti, është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Kurti, i cili është njëkohësisht kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë iu nënshtruar ashtu si të gjithë kandidatët e tjerë kontrollit në tre kategoritë, pasuri, prefesion dhe integritet.
Trupa gjykuese që përbëhej nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia vendosi se prokurori nuk është i përshtatshëm për detyrën.
Sipas ILDKPKI-së, Kurti s’ka bërë deklarim te saktë të pasurisë dhe ka kryer fshehje të saj. Gjithashtu KPK-ja duke iu referuar DSIK thotë se prokurori Kurti është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën sepse ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe tendecë të jetë pjesë e krimit.
“Sipas DSIK, subjekti është i pa përshtatshëm për të vijuar detyrën, pasi ka kontakte me persona të përfshirë në krim dhe dyshohet se ka tendencë të jetë pjesë e krimit. Ai ka kontakte të papërshtatshme në më shumë se një rast dhe Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar (DSIK) mund të vihet nën presionin e krimit.” – u tha gjatë seancës.
Shpëtim Kurti e ka nisur karrierën në vitin 2002 dhe që nga ajo kohë ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më herët, ka mbajtur postin e Zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës.