Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, është takuar sot me ambasadorët e QUINT-it (SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) si dhe kreun e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova.
Gjatë takimit ai ka deklaruar se qeveria e Kosovës nuk do tërhiqet nga taksa 100 përqind e mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina deri në realizimin e objektivave të qeverisë së Kosovës.
“Në takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së BE-së, diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe i sigurova se situata politike dhe e sigurisë në vend është e qetë. Qeveria po i vazhdon agjendat shtetërore, duke garantuar funksionimin e ligjit e rendit, si dhe është e përkushtuar në ruajtjen e qetësisë publike dhe sigurinë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Deklaratat për të ashtuquajturën krizë humanitare në Veri të vendit janë propaganda, të pavërteta dhe të papranueshme për realitetin në vend. Qytetarëve të vendit, pa dallim përkatësie etnike, nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor e mjekësor. Vendimi për masën prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të mbetet në fuqi deri në realizimin e objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.” – shkruan Haradinaj në një status në faqen e tij në “Facebook”.