Bajerni i Mynihut ka hedhur një tjetër hap fals dhe nga kjo ka përfituar Dortmundi që ka forcuar pozitat në majën e renditjes. Bavarezët nuk arritën dot që të mposhtin një kundërshtar modest si Dyseldorfi.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Kovac ishte shumë pranë suksesit duke qenë se deri në minutën e 77-të kryesonte 3-1, por dy gola të Lukebakios e çuan rezultatin në 3-3.
Situata te bavarezët nuk është aspak e mirë dhe duket se ka një krisje mes disa lojtarëve dhe trajnerit Kovac, që nuk do ishte çudi të largohej nga drejtimi i ekipit.
Dortmundi nga ana e tij mposhti Maincin në transfertë me rezultatin 2-1 duke e thelluar në 9 pikë largësinë nga Bajerni e duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pozitave në majë.
Megjithatë deri në fund të sezonit rruga është e gjatë dhe Dortmundi nuk mund të rehatohet ende por do të duhet të djersijë e luftojë javë pas jave për të mbetur në garën për titullin kampion.