Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban i ka dalë në mbrojtje ish-kryeministrit të arratisur të Maqedonisë Nikola Gruevskit, duke dhënë për mediat edhe arsyet se përse po e bën këtë gjë.
Sipas Orban, Gruevski e ka ndihmuar Hungarinë gjatë fluksit të refugjatëve dhe mbrojtja e kufijve të Hungarisë pa ndihmën e tij do të kishte qenë thuajse e pamundur.
“Pa ish-kryeministrin maqedonas, do ta kishim shumë të rëndë që të mbronim kufijtë e Hungarisë nga vala a refugjatëve edhe përkundër asaj që ne ngritëm rrethoja. Njeriu duhet sinqerisht t’i trajtoj aleatët e tij”, tha Orban.
Në intervistë për radion hungareze “Koshut”, Orban sugjeroi se prapa përndjekjes së Nikola Gruevskit fshihej në fakt George Sorosi. Për këtë ai premtoi se nuk do e lejonte Sorosin të bënte padrejtësi.
Sipas Orban, kritikat më të forta ndaj qeverisë hungareze për rastin e Gruevskit po vinin “të gjitha nga organizatat e Soros”, shkruan ABC.
“Ata që favorizojnë imigracionin dhe ata që sulmojnë çështjen e kryeministrit maqedonas janë pikërisht të njëjtët njerëz, si në nivelin personal ashtu edhe në atë organizativ”, tha Orban.