Vendosni fjalën kyçe....

Rama kujton policen e plagosur: Mund të ishte dëshmorja e parë femër


Ditën e sotme, gjatë prezantimit të flotës së re të Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama përmendi edhe njëherë tjetër policen Ina Muka, për të cilën tha se mund të ishte “dëshmorja e parë femër”.

Rama akuzoi opozitën, si nxitëse të protestës së dhunshme para Kuvendit, ku mbetën të plagosur policë e protestues.

“Jo më larg se 48 orë në parë një efektive e Policisë së Shtetit mund të kishte humbur jetën. Ishte shpejtësia e reagimit të saj që bëri të humbte vetëm gishtat e njërës dorë.

Ajo vajzë i përket gjeneratës së të reja dhe të rinjve të shkolluar në akademinë e ri çelur të sigurisë.

Akademia që u mbyll për vite të tëra, duke ndërprerë një cikël trajnimesh të pazëvendësueshëm për Policinë e Shtetit.

Një ndër shumë vajzat që janë dallëndyshet e para të pranverës të sapo nisur për rigjenerimin e Policisë së Shtetit, përfshi edhe vajza dhe djem që stërviten çdo ditë.

‘Humbi gishtat sepse nuk ishte e trajnuar’, u tha nga ata që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë të nxitjes së dhunës dhe për përdorimin e lëndëve plasëse, që kodi penal i Shqipërisë e dënon si krim të rëndë.

E kundërta është e vërtetë, ajo vajzë sikurse dhe shumë të rinj të tjerë, jo vetëm që janë të trajnuar por stërviten fizikisht çdo ditë dhe ishte pikërisht gatishmëria e veprimit që i shpëtoi asaj jetën se do kishim një dëshmor, të parën dëshmore të Policisë së Shtetit.”, janë fjalët që kryeministri Rama përdor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *