Policia e Tiranës ka proceduar penalisht kreun e PD, Lulzim Basha si dhe disa deputetë të tjerë të opozitës për protestën tek Unaza e Re në datën 23 nëntor.
Mësohet se përveç kreut të PD janë proceduar penalisht edhe deputetët demokratë Ervin Salianji e Klevis Balliu.
Ndaj të proceduarave rëndon akuza për tre vepra penale, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje e qetësisë publike dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.
“Më datë 23.11.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit L. B., E. S., K. B., F. N., E. A., G. P., A. B., L. P., Sh. S., G. S., E. F., B. Gj., M. F., L. K., B. Gj., vjeç 44, 30, 29, 46, 45, 55, 44, 51, 45, 49, 36, 51, 61, 51 e 32, banues në Tiranë për veprat penale të parashikuar nga nenet 262, 274 e 293 të Kodit Penal.”- thuhet në njoftimin e policisë.