Templates by BIGtheme NET

DOKUMENTET: Prokurori Besnik Cani pushoi dosjen për komisioneren e Vettingut

Prokurori Besnik Cani, aktualisht krahu i djathtë i kryeprokurores Arta Marku, rezulton se i ka bërë “nderin e jetës” njërës prej komisionereve të Vettingut (KPK), Valbona Sanxhaktarit.

Pritet që nesër KPK-ja të japë vendimin për prokurorin Cani, ndërsa një burim i mirëinformuar i tha Hashtag.al se zonja Sanxhaktari, ndonëse nuk është formalisht pjesë e trupës që do gjykojë mbi zotin Cani, dyshohet se në prapaskenë po lobon për mbrojtjen e tij.

Zonja Sanxhaktari u hetua në vitin 2004, për korrupsion me tenderat e rikonstruksioneve të shkollave dhe ishte e vetmja zyrtare e hetuar për të cilën prokurori Cani pushoi dosjen. (Shkarko dosjen e plotë).

Nga hetimi administrativ i KPK-së zoti Cani rezulton me probleme  sidomos në lidhje me pasurinë e tij dhe disa vendime të dyshimta dhe arbitrare në të kaluarën në pushimin e hetimeve.

Një raportim i pak ditëve më parë i Shqiptarja.com zbuloi një listë të gjatë të problemeve të prokurorit Cani.

Komisioni ka ngritur dyshime mbi një kontratë me një kompani hidrokarburesh për ndërtimin e një karburanti, ku prokurori do të merrte 5 lekë për litër. Prokurori Besnik Cani ka një apartament 117 m2 në ‘Don Bosko’, troje në Paskuqan 630 m2 dhe 690 m2, por edhe dy ndërtesa në këtë zonë 150 m2 dhe 300 m2, garazh dhe një makinë. Truallin në Paskuqan 690 m2 dhe banesën 300 m2, Cani thotë se e ka bërë me 700 mijë lekë. Por nuk e justifikon pasi thotë e ka bërë me argat dhe të afërmit e tij.

Komisioni ka ngritur dyshime edhe për aspektin profesional pasi ka pasur një shumë denoncimesh kundër tij, ndërsa janë ngritur dyshime për disa dosje, mes tyre një në Fier dhe një në Elbasan. E para për mos-hetimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo për përfshirje në skemë korruptive për qiratë e buta, pasi vetë prokurori dyshohet se kishte përfituar kredi si i pastrehtë. Dosja e dytë është për pushimin e hetimeve për tenderat në spitalin Psikiatrik të Elbasanit, kur ka qenë drejtues prokurori në këtë qytet. “Cani hetoi një kallëzim për tenderat në spitalin Psikiatrik në Elbasan. Por pasi hetoi e pushoi akuzën për favorizim me garë, zbuloi se kishte falsifikim dokumentesh, por s’e hetoi këtë”– tha KPK.

Sipas një denoncimi Cani ka mbyllur dosjen e shtetasit V.H të akuzuar për vrasje. Sipas denoncimit u pagua 50 mijë euro. KPK shqyrtoi dosjen. Nga shqyrtimi i dokumenteve Cani ka nisur hetimet. Cani pas vendimit të eprorit në prill 2008 ka plotësuar akuzën edhe për shkaktim vetëvrasje. Është ripërpiluar kërkesa për gjykimin penal duke kërkuar gjykim për V.H me akuzën ‘shkaktim vetëvrasje’ dhe ‘korrupsion pasiv’. KPK thotë se se Cani nuk është thelluar në hetime dhe padrejtësisht ka pushuar akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes herën e parë ndërsa herën e dytë, pas hetimit, e vendosi.

Dyshohet se përveç komisioneres Valbona Sanxhaktari, në favor të prokurorit Besnik Cani po lobon dhe deputeti socialist Ulsi Manja, aktualisht kryetar i Komisionit Kuvendor të Ligjeve. / Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto